Von der Leyen nesër në Kosovë, takime me Kurtin e Osmanin

Prishtinë | 29 Tet 2023 | 20:19 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kuadër të turit në shtetet e Ballkanit Perëndimor, të hënën do të qëndrojë në Kosovë, ku do takohet me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.

Sipas njoftimeve për medie Osmani do të pres në takim presidenten e Komisionit Europian rreth orës 13:15, ndërsa një orë më vonë von der Leyen do të takohet edhe me kryeministrin Kurti.

Von der Leyen, të dielën në mbrëmje ka arritur në Shkup, duke filluar turneun e saj në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa pas kryeqendrës maqedonase, ajo do të vizitojë Prishtinën, Podgoricën, Beogradin dhe Sarajevën.

Gjatë vizitës në Ballkanin Perëndimor, kryetarja e Komisionit Evropian, Von der Leyen do ta do të prezantojë Kornizën Investuese të Ballkanit Perëndimor.

Korniza është një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Evropian, institucioneve financiare dhe donatorëve, që synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Paketa e investimeve e planifikuar nga blloku për avancimin e rajonit arrin në 6 miliardë euro – 2.1 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi. Megjithatë, ndihma për rajonin do të kushtëzohet nga shkalla e reformave të zbatuara në secilin prej vendeve veç e veç.

Të ngjashme