Mbi 200 krerë lopë kanë ngordhur në Kosovë nga sëmundja gungore e lëkurës, ndonëse ende nuk ka shënime të sakta për numrin e plotë të kafshëve të prekura me këtë sëmundje.
Qeveria e Kosovës thotë se ka ndarë rreth 1 milion euro për sigurimin e vaksinave për këtë sëmundje, që nga qershori i këtij viti, kur edhe është paraqitur rasti i parë, por ato ende nuk kanë arritur në Kosovë.
Lamir Thaçi, zyrtar për informim në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vonesat në vaksinimin e gjedheve janë bërë fillimisht për shkak të vështirësive në sigurimin e mjeteve materiale nga ana e Qeverisë, e më pas për shkak të transportit të vaksinave, pasi ato vijnë nga Afrika.
‘’Sëmundja gungore e lëkurës ka shtrirje në gjithë Kosovën dhe janë prekur një numër i madh i kafshëve, ku rreth 200 tashmë kanë ngordhur. Ne jemi duke bërë përpjekje që të sigurojmë vaksinat dhe të dalim në teren. Nuk kemi shifra të kafshëve të prekura me sëmundje, pasi ndryshon numri. Disa janë shëruar dhe e kanë tejkaluar sëmundjen, andaj kjo shifër ndryshon”, ka thënë Thaçi.
Sëmundja gungore e lëkurës ka pasur shtrirje edhe në tërë Ballkanin. Sipas zotit Thaçi, gjendja me sëmundjen e gjedheve në Kosovë është e njëjtë me gjithë Ballkanin, andaj edhe siç thotë ai, janë vazhdimisht në kontakt me shtetet e rajonit, në mënyrë që kjo situatë të tejkalohet sa më lehtë.
Në anën tjetër, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka bërë të ditur se njerëzit nuk janë të rrezikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kjo sëmundje, andaj nuk ka ndonjë rrezik të ndonjë epidemie të shëndetit publik.
‘’Duke pasur parasysh se sëmundja gungore e kafshëve është paraqitur në Kosovë dhe tashmë ka edhe raste fatale te kafshët, njerëzit nuk janë të rrezikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me këtë sëmundje, duke e pasur parasysh se virusi i cili përhap këtë sëmundje nuk shkakton asnjë patologji të sëmundjes tek njerëzit. Mishi i kafshëve të sëmura nuk lejohet të përdoret dhe veterinerët praktikisht e kanë në kontroll të plotë gjendjen e shëndetit të kafshëve’’, ka thënë Ramadani.
Ndryshe, edhe vetë veterinarët kanë folur lidhur me këtë çështje, duke shpjeguar nëse paraqet rrezik tek shëndeti publik. Avni Robaj, veterinar, ka bërë të ditur se kjo sëmundje është paraqitur për herë të parë në Kosovë, por që po menaxhohet mire.
‘’Sëmundja gungore e lëkurës është sëmundje që nuk ka qenë e pranishme në vendin tonë. Këtë vit është paraqitur edhe në Kosovë. Është sëmundje që prek gjedhet dhe shkakton temperaturë tek kafsha, çalon, shkakton depresion dhe kemi një rënie të konsiderueshme ekonomike për shkak të rënies së peshës së kafshës, kualitetit të qumështit, kualitetit të lëkurës, e kështu me radhë.”
“Njerëzit nuk janë të rrezikuar dhe fermerët janë vetëdijesuar dhe menjëherë thërrasin veterinarët lokalë përgjegjës. Ne i marrim masat dhe i këshillojmë fermerët’’, ka thënë Robaj.
Aktualisht, komunat më të prekura me sëmundjen gungore në Kosovë janë Kaçaniku, Istogu, Komuna e Dragashit dhe e Kamenicës, megjithëse nuk përjashtohet as mundësia e shtrirjes në pjesët e tjera.