Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve (VoRAE) dhe rrjeti KOSINT kanë mbajtur takimin e parë publik me deputetë, prej të cilëve kanë kërkuar mbështetje institucionale për krijimin e të drejtave të barabarta për të gjitha komunitetet.
Isak Skenderi, nga organizata VoRAE, tha se aktualisht komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian gjenden në situata jo të këndshme, derisa theksoi sektorët në të cilët ata janë të margjinalizuar, raporton Ekonomia Online.
“Bashkë me aleatë kemi bashkëpunuar në sigurimin e të drejtave dhe integrimin e grupeve të margjinalizuara. Situata aktuale, pavarësisht sfidave të institucioneve, komunitetet rom, ashkali mbeten ndër komunitetet më të margjinalizuara e sidomos në arsim. Qëllimi është të zvogëlohet hendeku mes komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë dhe të krijohet ambient i barabartë për të gjithë. Gjatë punës tonë ne kemi pasë parasysh një rol për grupin që jemi t’u folë dhe ky rol duhet të bëhet përmes ligjeve ekzistuese në Kosovë dhe përkrahjen e Bashkimit Evropian”.
Jehona Xhaferi, nga KOSINT, tha se ideja e bashkëpunimit po bëhet në mënyrë që komuniteteve t’u sigurohen të drejta të barabarta.
“Ideja është që në përgjithësi në Kosovë ka ndarje të ndryshme dhe ne organizatat jemi bërë bashkë për përfshirjen e romëve dhe ashkalive. Ky është një takim që ta dimë kush jemi, por ideja është që në të ardhmen të vazhdojmë të punojmë në mënyrë më individuale dhe të shikojmë se në cilën fushë mund t’i ndihmojmë njëri-tjetrit”, tha ajo.
Xhevahire Izmaku tha se edhe deputetët nga komunitetet rom, egjiptian dhe ashkali do të duhej të ishin në këtë grup, raporton EO.
“Ne si shoqëri dhe si shtet ju kemi borxh këtij komuniteti. Unë do të doja që deputetët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të jenë pjesë e jona e këtij grupi”, tha ajo.
Deputetja Mimoza Kusari tha se duhet t’u referohen statistikave në mënyrë që të bëjnë plane të matshme.
“E vetmja pakicë në Kosovë që është trajtuar ndryshe është pakica serbe. Unë mendoj që ne duhet të shkojmë në një operacionalizim më konkret të praktikave tona. Për ne si grup, statistikat dhe numrat konkretë janë shumë më të dobishëm për të na kriju idenë se ka me shku”, tha ajo.
Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, tha se është i rëndësishëm bashkëpunimi mes institucioneve dhe organizatave në mënyrë që të bëhet më shumë për komunitetet.