Gjatë 2017-tës, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbim Civil ka pranuar 812 ankesa

Prishtinë | 12 Qer 2018 | 11:15 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil nga Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie u bë e ditur se gjatë vitit 2017 në këtë këshill janë pranuar 812 ankesa. 79 nga to janë bartur nga viti 2016.

Këto të dhëna i prezantoi drejtori i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, Shkëmb Manaj.

Ai tha se prej këtyre ankesave, 326 kanë të bëjnë lidhur me kontestimet e puëndhënësit, 118 për ulje të pagës, 80 për shkelje të kompensimit në pagë, 40 ankesa për ndërprerje të kontratës, e të tjerë.

Manaj tha se prej këtyre ankesave, 53.32% janë nga administrata qendrore, ndërsa 46.8 % nga ato lokale.

“Sa i përket funksionit, 812 ankesa janë pranuar gjatë vitit 2017. Përveç tyre, të pranuara ka pasë edhe 79 të tjera që janë bartë nga viti 2016. Rezultojnë që gjatë 2017-tës ka pasë në shqyrtim 891 ankesa”.

“Ndarja e ankesave:  326 ankesa te kontestimet e punëdhënësit, 118 ulje në pagesë, 80 ankesa shkelje e kompensimit në pagë, Ndërprerje e marrëdhënies së punës – 40 ankesa”.

Manaj u lavdërua edhe për hedhjen poshtë të padive ndaj vendimeve të Këshillit, raporton Ekonomia Online.

Ai tha nga 146 aktgjykime sa kanë qenë gjithsej, 117 janë refuzuar.

Sipas tij, gjatë vitit 2017 nuk ka pasur asnjë aktgjykim të prerë i cili ka anuluar vendimet e këshillit, por se aktgjykimet e bëra kanë qenë nga vitet paraprake.

Anëtarja e komisionit nga PSD, Shqipe Pantina, lavdëroi raportin e Këshillit.

Ajo kërkoi të dijë më shumë lidhur me organizatat që trajnojnë shërbyesit civilë si dhe për trendin e institucioneve lidhur me ankesat.

“Raporti i Këshillit është një ndër raportet e mira që na vijnë në Kuvend. Ka të bëjë me trajnimet që ofrohen që shumë shërbyes civilë ndjekin trajnime nga shumë organizata që janë të dyshimta.Nëse e marrim në përqindje, shohim se rekrutimet janë rritë, a ka institucione që përsëriten në vazhdimësi shkeljet, a ka ndonjë fije të rendit të përmirësimit të këtij procesi”.

Xhevahire Izmaku, nga PDK-ja, tha se vetë rritja e numrit të ankesave do të thotë shumë lidhur me vetëdijësimin e shërbyesve civilë.

Ndërsa Arban Abrashi tha se çfarë ndodh me ata që nuk i zbatojnë vendimet.

Sipas Abrashit, Komuna e Prishtinës dhe ajo e Zubin Potokut nuk kanë zbatuar vendimet e Këshillit.

“Vendimet duhet me u zbatu dhe Komuna e Prishtinës është kampion i moszbatimit të vendimit dhe e Zubin Potokut. Pas kësaj  a po shkojnë aktgjykime”.

Rasim Selmanaj kërkoi nga këshilli që të fokusohen në monitorimin e konkurseve në mënyrë që të pranohen kandidatët.

“Kontestimi i konkursve do të ishte mirë me pasë monitorim të madh të këtyre konkurseve që me u pranu kandidatët më të mirë”.

Sa u përket sqarimeve për deputetët, drejtori Manaj tha se ka trend pozitiv sa i përket kontestimit të konkursit.

“Te kontestimi i konkursit është trendi shumë ma pozitiv, sidomos te komunat që janë shumë ma të përgjegjshme. Kemi propozu që me qenë sistemi elektronik të intervistimit se besojmë që nuk do të ketë ndërhyrje”.

Të ngjashme