Lirim Krasniqi nga organizata jo-qeveritare “Germin”, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se votat nga diaspora s’do të përbëjnë ndryshim në rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, ndërsa procesi i verifikimit të aplikuesve për votim jashtë vendit është duke shkuar ngadalë.
Krasniqi thotë se vendimi i KQZ-së për të verifikuar me telefon ka qenë i paplanifikuar.
“Procesi i verifikimit të aplikuesve për votim jashtë vendit është duke shkuar pak në formë të ngadalësuar për shkak se ne e kemi theksuar se vendimi i KQZ-së për të verifikuar me telefon ka qenë i pamenduar dhe i paplanifikuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ne po shohim një vonesë në këtë proces për shkak të numrit të madh të aplikuesve për votim nga jashtë. Besojmë dhe shpresojmë që ky proces të përfundojë në një kohë sa më të afërt për shkak se jemi shumë afër periudhës së votimit. Duhet të ketë një afat kohor prej momentit të publikimit të listës finale kur votuesit ose aplikuesit për votim nga jashtë do të mund të ankohen pra ata që janë refuzuar nga KQZ-ja”, është shprehur ai për Ekonomia Online.
Po ashtu Krasniqi ka thënë publikimi i të dhënave personale te votuesve jashtë vendit është shkelje e privatësisë.
“Publikimi i të dhënave personale të votuesve ose të personave që janë regjistruar për votim nga jashtë është shkelje e privatësisë dhe e të dhënave të tyre personale. Madje është një veprim që shkon kundër edhe vet ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Ne për këtë gjë kemi ngritur shqetësim edhe në zgjedhjet e kaluara edhe në këto zgjedhje. Do të kërkojmë nga KQZ-ja që të gjejë një modalitet që nuk publikon të dhënat personale të votuesve”, ka thënë më tej ai.
Sipas Krasniqit votat nga diaspora s’do të përbëjnë ndryshim në rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
“Votat e diasporës do të jenë përcaktuese të vullnetit të votuesve nga diaspora dhe nuk besoj që do të jenë shumë më ndryshe se sa nga vullneti i votuesve brenda vendit. Nga zgjedhjet e kaluara ne kemi parë që votuesit nga diaspora kanë qenë më të prirë të votojnë për Lëvizjen Vetëvendosje d.m.th ka qenë një numër mbi 50 për qind i votuesve nga jashtë të cilët kanë votuar këtë subjekt politik. Mirëpo sot ne kemi parasysh që pak a shumë sipas sondazheve të njëjtën përqindje ky subjekt do ta marr edhe nga votuesit brenda vendit. Nuk besojmë që vota e diasporës do të bëjë ndonjë ndryshim të madh”, ka përfunduar Krasniqi për EO.