Votimi me letërnjoftime të Serbisë, në situata specifike, është i lejuar edhe në Kosovë. Në komunat veriore të Kosovës janë shënuar votime me dokumente serbe.
Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, ka thënë se “të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët gjenden në listat e votuesve, kanë të drejtë që si dokument identifikimi t’i përdorin dokumentet që parashihen sipas ligjit dhe që janë të saktësuara edhe me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.
Serbët e veriut të Kosovës po votojnë pa u penguar në komunat Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, me letërnjoftime të vendbanimeve në Kosovë, të cilat i lëshon Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Serbisë.
Te gjithë ata që kanë letërnjoftimet e lëshuara nga Republika e Serbisë mund të votojnë pa probleme në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, të cilat po mbahen edhe në këto dy komuna në veri të Kosovës, shkruan Evropa e Lirë.