Komisioni për Buxhet voton projekt-buxhetin 2025

Prishtinë | 06 Nën 2024 | 14:22 | Nga Hasan Hoti

Me pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka votuar buxhetin për vitin 2025, raporton Ekonomia Online.

Buxheti prej 3.6 miliardë euro, dërgohet për seancën e Kuvendit për votim në parim.

Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025, para anëtarëve të Komisionit e prezantoi ministri i Financave, Hekuran Murati, sipas të cilit buxheti 3.6 miliardësh i vitit të ardhshëm është i zhvillimit të Kosovës.

Murati tha se në buxhet janë të parapara rritja e pensioneve, rritja e shtesave për fëmijë, rritja e njësive të koeficientit në sektorin publik si dhe investime tjera.

“Buxheti për vitin e ardhshëm parashihet të jetë 3.6 miliardë euro, ndërkaq parashihet të financohet nga të hyrat buxhetore në nivelin e 3 miliardë e 305 milionë eurove, kurse pjesa tjetër prej 300 milionë eurosh do të jetë deficiti buxhetore. Për të ardhur deri te ky buxhet janë marrë parametrat e zhvillimit ekonomik dhe performancës së vitit aktual”, tha ministri Murati.

Pas prezantimit, anëtarët e Komisionit dhanë mendimet pro dhe kundër ndarjeve buxhetore. Në fund Projektligji për ndarje buxhetore për vitin 2025 u mbështet nga Komisioni me 6 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim dhe i njëjti i rekomandohet seancës për miratim.

Komisioni në mbledhjen e sotme miratoi  raportin vjetor  të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe raportin vjetor financiar të KOSTT vitin 2023.

Po ashtu në këtë mbledhje u shqyrtua dhe u mbështet raporti me amendamente i komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim për Projektligjin  për ofruesin e shërbimeve të navigacionit ajror, raporti me amendamente i komisionit f për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit për Projektligjin  për Gjykatën Administrative dhe u shqyrtua dhe u votua në parim Projektligji për shërbimet e pagesave.

Në vijim Komisioni shqyrtoi propozimet për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale.

Pas diskutimeve Komisioni rekomandoi për votim në seancë Arsim Bruqaj dhe Ali Vitia për anëtarë të Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale.

Të ngjashme