Kryeministri dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka votuar në Shkollën e Mjekësisë “Ali Sokoli” në kryeqytet, në zgjedhjet për kryetar komune dhe kuvende komunale.
Kreu i qeverisë iu ka bërë thirrje qytetarëve me votë të vendosin vet për fatin e tyre.
“Ftoj të gjithë qytetarët e vendit që të dalin e të votojnë. Kosovën e presin shumë punë, një pjesë e punëve të rëndësishme ndodhin në komuna. Janë me rëndësi komunat, kryetarët e komunave, asambletë komunale dhe vetëm me punë mund të shkojmë kah zhvillimi, kah rritja e gjithëmbarshme e vendit dhe kjo rritje kërkon edhe rolin aktiv të qytetarit, pra votën e qytetarit. Prandaj, votoni të gjithë. Me fat”, tha kryeministri.
Thirrje për të votuar ka bërë edhe bashkëshortja e kryeministrit, Anita Haradinaj.
“I bëjë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre, të votojnë për kuvendet komunale, për kryetarë të komunave, për ata që punojnë, për ndryshimin në Kosovë”, ka thënë Anita Haradinaj.