Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu, ka votuar në shkollën fillore “Esat Mekuli”, në fshatin Dobratin, raporton Ekonomia Online.
Pas hedhjes së votës së tij, Fetahu ka thënë se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme për komunën e Podujevës dhe ka ftuar të gjithë llapjanët që të marrin pjesë në votim.
“Zgjedhjet lokale janë më të rëndësishme se ato nacionale. Këto zgjedhje, na prekin direkt ne që jetojmë në këtë komunë. Janë zgjedhje për mirëqenien tonë, për punësimin e qytetarëve tanë, për përmirësimin e kushteve për mësimdhënësit tanë e mbështetjen e sipërmarrësve”.
“Janë zgjedhje të cilat vendosin për të rinjtë, gratë, të moshuarit e kategoritë e luftës dhe të gjithë së bashku. Unë jam i bindur që asnjëra nga këto kategori nuk janë të kënaqura me me këto 20 vjet sesi është sjellë pushteti ndaj tyre. Prandaj, unë i ftoj të gjithë qytetarët të dalin të votojnë në zgjedhje të dëshmojnë një kulturë të jashtëzakonshme dhe të përfundojmë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të bëjnë ndryshimin e vërtetë i cili do të përmirësoj rrënjësisht jetën e tyre”, ka thënë Naim Fetahu.
Në pyetjen e gazetarëve tha se nuk ka ndonjë parregullsi ende vetëm disa lëshime te vogla por nuk është diçka që mund të ndikojë në procesin zgjedhor.