Votuesit në “Gjergj Fishta”: Të bashkohen partitë dhe t’i zgjidhin problemet

Prishtinë | 07 Qer 2026 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Në shkollën “Gjergj Fishta” në Prishtinë po vazhdon procesi i votimit në kuadër të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Qytetarët që kanë votuar kanë pritje të ndryshme për zhvillimet politike në vend, duke kërkuar stabilitet institucional dhe zgjidhje të ngërçit politik , raporton Ekonomia Online.

Qytetari Ruzhdi Berisha tha se tashmë e ka shfrytëzuar të drejtën e votës.

“Kam votuar. Pres një ndryshim të vogël. Nuk ma merr mendja që janë aq budallenj. I ftoj të gjithë të dalin të votojnë dhe ta bëjnë ndryshimin“, theksoi ai

Edhe qytetari Bajram Hyseni u shpreh optimist për zhvillimet pas zgjedhjeve.

“Po, presim, ishallah bëhet më mirë. Mendoj se do të bëhet më mirë. Do të vetëdijesohen, do të bashkohen dhe do t’i zgjidhin problemet. Ishallah,” tha ai.

Ndërkaq, qytetari Hajriz Gashi tha se, megjithëse voton rregullisht, pritjet për ndryshim shpesh nuk realizohen.

“Po, kam votuar. Ne gjithmonë votojmë duke pritur më të mirën, por rrallë po na vijnë të mirat“, u shpreh ai.

Ndërsa në pyetjen se kush mban përgjegjësi për faktin që vendi është sërish në zgjedhje, Gashi fajësoi partitë politike.

“Fajin e kanë të gjithë ata që janë në krye të partive politike. Kush tjetër?”, shtoi ai.

Të ngjashme