Vrasja e djeshme në Gjakovë, Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit

Prishtinë | 17 Mar 2026 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet N.Z. ka marrë vendim për fillimin e hetimeve dhe ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 16 mars 2026, rreth orës 05:20, në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, në lokalin “M.P.”.

“Me datë 16.03.2026 në ora 05:20 në Gjakovë, Rr.“Vëllezërit Frashëri”, i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.B., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit E.M., dhe personave të tjerë që kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes. Në lokalin e lartcekur, pas një mosmarrëveshje, i pandehuri ka shtënë disa herë me armën – pistoletë e llojit TT me kalibër 7.62×25 mm – në drejtim të R.B., i cili ka ndërruar jetë në afërsi të vendit të ngjarjes,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria bën të ditur se, përveç viktimës së vrarë, i dëmtuari E.M. ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ndërsa i pandehuri ka ikur nga vendi i ngjarjes.

I pandehuri ngarkohet për veprat penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 par.1 nënpar.1.5 të KPRK-së dhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së.

Që nga data e ngjarjes, i pandehuri gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, sipas vendimit të Prokurorit të Shtetit.

Të ngjashme