Nëna e dy djemve të vrarë Arsim dhe Ramiz Berisha, e dëmtuara Shake Berisha, ka kërkuar ndihmë nga babai i kryetarit të trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, për gjykimin të cilin ai e kryeson, ku për vrasjen e vëllezërve Berisha po akuzohet i pandehuri Binak Panxha.
Këtë gjë e bëri të ditur gjykatësi Sharraxhiu, në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Pejë, i cili tha se e dëmtuara kishte shkuar në shtëpinë e babait të tij për t’i kërkuar ndihmë në lidhje me procesin gjyqësor të cilin e gjykon, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatësit Sharraxhiu kjo situatë është e nevojshme të vlerësohet nga kryetari i Gjykatës së Apelit, nëse ekzistojnë rrethanat të cilat ndikojnë në paanshmërinë dhe objektivitetin e tij.
“E njëjta i kishte thënë se për ty kam dëgjuar se je një njeri i mirë dhe se ke punuar në gjykatë dhe ke bërë mirë aty. Unë e kam një lëndë tek djali yt Sami Sharraxhiu dhe kërkoj që të më ndihmosh sepse mi kanë vra dy djemtë dhe po donë me më qit prej shtëpisë”, sqaroi gjykatësi fjalët e të dëmtuarës që i kishte thënë babait të tij.
Gjykatësi Sharraxhiu theksoi se babai i tij ia kishte bërë të qartë të dëmtuarës se kishte bërë gabim që kishte shkuar tek ai për ndihmë dhe e kishte larguar nga shtëpia e tij.
Mirëpo, sipas gjykatësit Sharraxhiu, edhe përkundër kësaj, e dëmtuara përsëri kishte tentuar të hyjë në shtëpi.
Lidhur më këtë, e dëmtuara Shake Berisha tha se nuk kishte bërë asgjë, duke shtuar se vetëm i kishte treguar babait të gjykatësit se djali i tij po bënte padrejtësi dhe nuk është duke e lejuar të flas në gjykatë.
“ Unë shtëpinë tënde e di që 13 vite dhe gjyqtarëve të tjerë edhe të shumë kujt këtu”, tha e dëmtuara Shake Berisha.
Prokurori Agron Galani dhe mbrojtësi i të pandehurit Binak Panxha, avokati Osman Cucoviq nuk e kundërshtuan që seanca të shtyhet deri sa të merret vendimi në Gjykatën e Apelit.
Gjykatësi Sharraxhiu tha se do të kërkonte në Gjykatën e Apelit të bëjë vlerësimin se i njëjti a mund të vazhdojë gjykimin e kësaj çështje, respektivisht të vlerësohet objektiviteti i tij në këtë rast.
Ndryshe, në seancën fillestare të 17 gushtit 2018, Binak Panxha ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën që i vihet në barrë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Binak Panxha akuzohet se më 21 korrik 2017, rreth orës 21:30, në pyllin e fshatit Kosuriq, ka privuar nga jeta tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha.
Në aktakuzë përshkruhet se deri te momenti kritik ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve për shkak të prerjes së pyllit, pronë e familjes së të pandehurit.
Siç thuhet në aktakuzë, në orën 21:00 të natës kritike, tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berisha, së bashku me dëshmitarin Jetlir Gashi, ishin nisur me dy qerre me kuaj për të prerë drurë në pyllin e të pandehurit.
“I lënë qerret me kuaj buzë rrugës dhe dëshmitari Jetlir së bashku me Ramizin hynë në pyll dhe pasi nuk vërejnë asgjë, Ramizi i thotë Jetlirit shko merre kalin me qerre se bashku me Arsimin dhe të fillojmë me pre dru”, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, pasi dëshmitari Gashi, ishte nisur për ta thirr tani të ndjerin, kishte dëgjuar atë duke biseduar me dikë.
Në atë moment, sipas aktakuzës, i pandehuri Binak Panxha me armë automatike shkrep tre fishekë dhe Arsim Berisha niset në drejtim të vëllait të tij Ramiz Berisha dhe përsëri i akuzuari gjuan pandërprerë në drejtim të tyre, duke i privuar nga jeta tani të ndjerët dhe pastaj trupat e tyre i largon nga pylli, duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes.