Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka publikuar raportin e tij për zhvillimet në Kosovë, ku theks të veçantë ka vrasja e liderit të serbëve në Kosovë, Oliver Ivanoviq, dhe tentimi për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale.
Situata në veri në Kosovës përshkruhet përgjithësisht e brishtë, me një numër incidentesh të raportuara, ndërsa vrasja e Ivanoviq cilësohet si e atillë që ka mundur të prodhojë pasoja shumë më të mëdha se vetëm në veri, njofton Klan Kosova.
Në sferën e dialogut me Kosovës dhe Serbisë, përshëndeten disa veprime nga të dyja shtetet, drejt implementimit të marrëveshjeve të arritura deri tash, si edhe nisja e dialogut të brendshëm në Serbi për këtë çështje, por theksohet mungesa e çfarëdo ideje për afatin kohor të funksionalizimit të Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe.
Raporti përmend edhe dënimin e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, vazhdimin e gjykimit të zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, si edhe shumicën e ngjarjeve kyçe në drejtësinë kosovare.