Ilir Abdullahu është deklaruar i pafajshëm për akuzën se në bashkërkyerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun, Enver Sekiraqën dhe Rrahim Abdullahun, kanë vrarë ish-policin Triumf Riza.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e bëri në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Habibe Salihu, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Jam i pafajshëm. Nuk kam të bëjë me këtë rast dhe nuk e pranoj këtë aktakuzë me thashetheme. Deri sot nuk kena pas të bëjmë me drejtësi, po kena pas të bëjmë me një drejtësi private dhe kjo aktakuzë e kam cek edhe në Prokurori ka prova të manipulume, të montume dhe të kontrabandume”, tha Abdullahu.
Pas deklarimit rreth fajësisë, gjykatësi i rastit Valon Kurtaj e njoftoi Abdullahun dhe mbrojtësin e tij, avokatin Ramë Dreshaj se brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë për kundërshtim të provave dhe për kërkesë për hudhje të aktakuzës.
Avokati Dreshaj kërkoi plotësim të lëndës me disa prova dhe tha se do t’i drejtohet me shkrim Prokurorisë, ku do t’i theksojë provat që i kërkojnë nga PSRK-ja dhe arsyet pse i kërkojnë.
Ndërsa, prokurorja Salihu tha se disa prej atyre që i përmendi avokati nuk janë propozuar në aktakuzë.
“Qysh e pash unë, disa nga provat që i kërkon avokati nuk janë propozuar në aktin akuzues, por pas marrjes së procesverbalit, do t’i vlerësoj nëse ka diçka që nuk ia kam dorëzu”, tha prokurorja.
Mbrojtësi i Abdullahut e konsideroi paraburgimin si masë të ashpër dhe i propozoi gjykatës që kjo masë t’i ndërprehet të mbrojturit të tij dhe t’i zëvendësohet me ndonjë masë tjetër.
Në anën tjetër, prokurorja Salihu tha se qëndron pranë masës së caktuar.
Më pas, gjykatësi Kurtaj e kundërshtoi propozimin e Dreshajt dhe bëri të ditur se të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Abdullahu i njohur me nofkën “Liza”.
Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me tani të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, si dhe të pandehurin Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, si grup i organizuar nga Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Triumf Riza, për arsye se tani i ndjeri, më 24 dhjetor 2005 në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur tani të dënuarin Sekiraqa, ku ky i fundit kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit me Adelina Ismailin, i njëjti nuk ka lejuar që t’i japë reket- të holla si më parë.
Më tej, thuhet se për arrestimin dhe rrahjen e tij në Ferizaj më 22 maj 2006 nga ana e pjesëtarëve të SHPK-së, Sekiraqa kishte akuzuar tani të ndjerin Triumf Riza se janë të shtyrë nga ana e tij, andaj janë marrë vesh që tani të ndjerin ta privojnë nga jeta.
Në aktakuzë thuhet se një kohë kanë përcjellë me vetura lëvizjet e Rizës dhe më 30 gusht 2007 derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa”, tani i dënuari Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Abdullahu me përmbajtjen “Parking te Grandi, kojshija e kish dramen“, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në hotelin Grand.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Quins”, ku tani i dënuari Berisha, i armatosur më parë me pistoletë ka hyrë në një lokal, ndërsa i pandehuri Ilir dhe i pandehuri Rrahim kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokali.
Më pas, thuhet se i pandehuri Rrahim Abdullahu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha, derisa ka qenë duke qëndruar ulur në tarracën e një lokali afër lokalit AMPM, me përmbajtjen “rri qatu hin mrena se mir je, ma von te thirri“, pasi që Riza ishte parë te lokali AMPM.
Në aktakuzë thuhet se në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Riza nuk ka pritur kurrfarë sulmi, me shpinë të kthyer nga ai, nga një distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafale të shkurtra, duke e goditur me 2 plumba në shpinë, ku plumbat, për shkak të veprimit dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një plumb është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.
Me këtë veprim, i akuzuari Ilir Abdullahu, në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, dhe të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë’, nga neni 147, paragrafi 1, nënparagrafët 3 dhe 9, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.
Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.
Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati.