Vrasja në Brekovc: Viktima e njoftoi policinë për kërcënimet pak orë para vrasjes

Prishtinë | 08 Gus 2018 | 09:25 | Nga

Policia e Kosovës ishte e njoftuar për mundësinë që diçka e keqe mund të ndodhte në Brekovc të Gjakovës. Pak orë para se dorasi të qëllonte me automatik gruan dhe vajzën e tij i kishte dërguar një mesazh kërcënues në telefon gruas së tij, raporton kallxo.com.

Kjo e fundit pak orë para vrasjes ishte ankuar në polici për kërcënimin. Detajet për këtë janë konfirmuar nga kryeprokurori i Gjakovës Ali Selimaj.

“Viktima është ankuar në polici për kërcënimin policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit dhe ka tentuar ta kontaktoj por ka qenë e pamundur”, ka thënë Selimaj.

Ai ka shtuar se dorasi është person i njohur për prokurorinë dhe ishte i njohur pasi ndaj tij ka një procedurë penale. Selimaj ka përgënjeshtruar lajmet se i dyshuari ishte liruar dje nga paraburgimi.

Selimaj ka konfirmuar se i dyshuari ishte në paraburgim nga data 12 maj deri në 6 qershor të këtij viti dhe ndaj tij ka një aktakuzë për dhunë në familje e cila është dorëzuar në gjykatë.

Në rrethana ende të pasqaruar një 40 vjeçare dhe vajza e saj u qëlluan për vdekje mbrëmjen e datës 7 gusht. Dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i 40 vjeçares. Qifti jetonin të ndarë prej disa muajsh dhe kishin pesë fëmijë dy prej të cilëve jetonin me të atin dhe tre me nënën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme