Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen e mbrëmshme në fshatin Majac të Podujevës.
Në njoftim, thuhet se pasi policia ka arritur në vendin e ngjarjes, është konstatuar se një person është gjetur pa shenja jete, brenda veturës.
“Policia e Kosovës ka pranuar një informatë se në fshatin Majac të komunës së Podujevës, dyshohet që një person i cili gjendet në një veturë është pa shenja jete. Njësitë relevante policore, njësia e hetimeve dhe forenzika menjëherë janë angazhuar dhe kanë dalur në vendin e ngjarjes për tu marrë me rastin. Po ashtu janë njoftuar edhe prokurori kompetent dhe ekipet mjekësore të cilët kan dalur në vendin e ngjarjes”.
“Bazuar në informacione dhe hetimet fillestare, në vendin e ngjarjes është hasur vetura (VË) ngjyrë e bardhë me targa lokale (01), e cila është verifikuar dhe ka dalur në pronësi të një personi mashkull kosovar nga Obiliqi. Nga ekipa mjekësore është konstatuar se personi mashkull kosovar i hasur në automjet është pa shenja jete”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se më pas dy gra janë gjetur brenda, me plagë të rënda, por kanë qenë me shenja jete, njëra ndër to ishte e dyshuara A.Gashi.
Referuar veprimeve dhe hetimeve intensive, është siguruar informacioni se, dyshohet që një person i gjinisë femërore është brenda në një shtëpi, posedon armë zjarri dhe nuk pranon të komunikojë me askënd, e cila paraqet rrezik jete për vetën e saj dhe për të tjerët.
“Referuar situatës, janë angazhuar Njësia Speciale Intervenuese dhe zyrtët për ndërmjetësim, të cilët kanë intervenuar brenda në shtëpi duke vënë situatën nën kontroll, ku dy persona të gjinisë femërore janë gjetur brenda, të cilat dyshohet se kanë plagë të rënda, por janë me shenja jete. Nga njësia emergjente iu është dhënë tretmani mjekësor, dhe pastaj të njëjtat nën mbikëqyrjen mjekësore dhe policore janë dërguar në qendrën spitalore. Ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) ka bërë tërheqjen e trupit të pajetë nga vendi i ngjarjes”, ka njoftuar policia.
Ndërkaq, 73-vjeçarja e plagosur mbrëmë, rreth orës 03:35 ka vdekur në QKUK.