Vrasja në Prizren, i vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi “Kobrës” dhe një të dyshuari tjetër

Prishtinë | 29 Qer 2023 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, duke marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Dibran Hoxhës i njohur si “Kobra” dhe të pandehurit tjetër R.S, kurse tre të tjerë, Arben Vezaj, Jesmir Badalli dhe Burim Mazreku ua ka zëvendësuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak dhe paraqitje në stacion policor.

Ndërsa, ndaj tre të pandehurve të tjerë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për zëvendësimin e masës së paraburgimit.

Lajmi është bërë i ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zyrtarja ligjore e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Medina Gashi.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me aktvendimin PPPS.nr.7/23 të datës 29.06.2023 ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit D.H, të njëjtit kjo masë i është vazhduar deri me datë 03.09.2023, dhe ndaj të pandehurit R.S, ashtu që të njëjtit kjo masë i është vazhduar deri me datë 06.09.2023”, tha Gashi.

Ajo njoftoi se për të pandehurit Arben Vezaj dhe Jesmir Badalli, Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak.

Ndërsa, për të pandehurin Burim Mazreku masa e paraburgimit është zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacionin policor.

“Ju njoftojmë se me datë 29.05.2023 Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për zëvendësim të masës nga paraburgimi në masën e arrestit shtëpiak për të pandehurit A.V dhe J.B, si dhe po me këtë datë ka paraqitur kërkesë për zëvendësim te masës nga paraburgimi në masën e paraqitjes në stacion policor për të pandehurin B.M, të cilat kërkesa janë aprovuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, më 2 shkurt 2023, ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Dibran Hoxhës i njohur si “Kobra” dhe pesë të pandehurve të tjerë Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrllahi, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, V.C.

Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Të ngjashme