Vrasja në Volljakë të Klinës, prindërit e njërit të akuzuar thonë se djali i tyre ditën kritike pas shkollës shkoi në shtëpi

Prishtinë | 29 Shk 2024 | 09:18 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Pejë, të mërkurën prindërit e të akuzuarit Ylli Gashi, Q.G dhe V.G., deklaruan se në ditën kritike më 28 prill 2022, djali i tyre në mëngjes kishte shkuar në shkollë e më pas ishte kthyer në shtëpi.

Në këtë rast, Nderim, Basri, Agron, Ardit, Bahri dhe Ylli Gashi, ngarkohen për rastin e vrasjes së tani të ndjerit F.H, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Q.G, i propozuar nga mbrojtja, tha se në ditën kritike, nga mëngjesi kishte qenë në fshatin Kralan duke punuar dhe që në shtëpi ishte kthyer në mbërmje rreth orës 18:30-19:00.

Lidhur djalin e tij, të akuzuarin Ylli Gashi, ai tha në orën 7:30 ka shkuar në shkollë deri në orën 13:30, kur kishte shkuar në shtëpi. Ai tha se përmes telefonit e kishte këshilluar djalin të rrinte në shtëpi pasi ishte me agjërim.

Dëshmitari Q.G tha se kur ishte kthyer nga puna në shtëpi (dëshmitari) para iftarit, aty ishte edhe djali i tij.

Sa i përket njollave të gjetura në lokalin e tyre “Buka prej Guri” në Volljakë, tha se kishte dëgjuar për ato, e që sipas tij rasti kishte ndodhur disa ditë para ditës kritike, e që ishin të djalit të tij si pasojë e gjakderdhjes nga hunda.

“Unë kam ardhur e kam marrë Yllin në Volljakë dhe jemi nis në drejtim të shtëpisë, pasi që kemi shku në shtëpi në Klinë, Ylli më ka treguar që i kanë pikur hundët gjak në Volljakë në zyrë, ku aty s’ka pasur as ujë, as letër, asasgjë”, tha dëshmitari G., duke folur për atë rast.

Ai gjithashtu pohoi që kishte dëgjuar se arma e kryerjes së veprës penale ishte gjetur po në atë lokal nga Policia, mirëpo tha se nuk e dinte se çfarë lloji i armës ishte.

Dëshmitari G., tha se ishte ai që e kishte lajmëruar Policinë lidhur me njollat e gjakut të djalit të tij të gjetura në vendpunishte.

Më pas, në cilësinë e dëshmitares u dëgjua edhe nëna e të akuzuarit Ylli Gashi, V.G., e cila tha se i akuzuari Ylli, gjatë ditës kishte qenë në shkollë dhe më pas kishte shkuar në shtëpi.

“Kur është kthy nga shkolla, ka pushu dhe më ka ndihmu në oborr me heq bari”, tha dëshmitarja.

Ajo më pas tha se gjatë asaj kohe, djali i saj nuk ishte larguar nga shtëpia dhe atë kohë nuk kishte ardhur askush për t’i kërkuar Q. apo Yllin.

Në këtë seancë, u dëgjua edhe eksperti balistikës, Tefik Hoti, i cili tha se qëndron pranë raportit të ekspertizës dhe sqarimeve të dhëna në ekspertizë.

Lidhur me llojin e armës me të cilën është kryer vepra penale, eksperti Hoti tha bën pjesë në armët e shkurta dhe është prodhuar në frabikën e emërtuar “Norento”, në Kinë në vitin 1954 dhe se për atë arsye quhet “type 54”.

“Është variant i pistoletës e cila për herën e parë është prodhuar nga BRSS-ja. Si e tillë, kjo pistoletë është bukur e shpeshtë në praktikat e rasteve nën ekspertizat balstike”, tha eksperti Hoti.

Arma në fjalë që ishte objekt ekspertize, eksperti tha se ka qenë plotësisht funksionale dhe nuk kishte paraqitur asnjë pengesë në funksionimin e saj gjatë ekspertimeve balisitike.

Eksperti sqaroi se arma kishte poseduar karikatorin kur kishte arritur tek Agjencinë e Kosovës për Forenzikë (AKF), i cili nuk kishte qenë i vendosur në armë dhe dy fishekë, të cilët po ashtu nuk kanë qenë të vendosur në karikator, por si të ndarë.

Këta fishekë, eksperti Hoti tha se nuk kishin qenë të shkrepur.

Më pas u dëgjua edhe ekspertja e daktiloskopisë (gjurmëve të gishtave), Valbona Shala, e cila tha se qëndron plotësisht pas raportit të ekspertimit, ku përveç dëshmive të gëzhojës dhe pistoletës, ajo ka pasur për ekspertim edhe një mjet të fortë druri, një thikë dhe një lopatë pune.

Ato dëshmi, ekspertja Shala tha se fillimisht pranohen në AKF në zyrën e provave, aty bëhet paketimi në prezencën e hetuesit të rastit, evidentohen të gjitha dëshmitë dhe mbyllen me shirit ngjitës, si dhe nënshkruhen nga ana e hetuesit, ku marrin numrin e ID-së dhe vendoset data se kur është bërë paketimi.

Dëshmitë, ekspertja tha se i marrin në dhomën e dëshmive ku përmes sistemit LIMS dhe së pari fotografohen në gjendje faktike të pahapura.

Më pas, ekspertja sqaroi metodat që i kanë përduror gjatë ekspertimit në rast, duke thënë se janë përdorur metodat adekuate të cilat përdoren në laborator për sipërfaqet poroze dhe joporoze.

“Në këtë rast kemi përdorur kemikalin super-ngjitësin cyano pilat, kjo metodë përdoret në sipërfaqet joporoze siç është qelqi, hekuri që nuk përthithen, po ashtu në dëshmitë 5 dhe 26 ku kanë qenë një bisht druri dhe një lopatë me bisht druri është përdorë metoda e një hidrimës me anë të spërkatjes që është metodë për sipërfaqe joporoze dhe përdoret për letra për dru të papërpunuar, etj”, tha ekspertja Shala.

Ekspertja tha se shkencërisht ka shumë faktorë që ndikojnë në humbjen e shenjave të gishtërinjve, ndër to janë temperatura, lagështia, reshjet atmosferike e po ashtu edhe dorëzat nëse janë përdorur nuk dalin gjurmët e gishtave.

Pas dëgjimit të ekspertëve dhe dëshmitarëve, seanca është ndërprerë për të vazhduar më pas sipas agjendës së paraparë.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e përmirësuar më 3 shkurt 2023, ngarkon gjashtë të akuzuarit: Nderim Gashi, Basri Gashi, Agron Gashi, Ardit Gashi, Bahri Gashi dhe Ylli Gashi, për “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri, më 28 prill 2022, rreth orës 20:30, në fshatin Volljakë, Komuna e Klinës, në parkingun e restorantit “Villa Park”, të përgatitur paraprakisht dhe duke vepruar në bashkëkryerje, e me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, privojnë nga jeta viktimën F.H., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë. Kurse, Ylli Gashi akuzohet se ndihmoi në kryerjen e vrasjes, duke siguruar armën për të pandehurin Nderim.

Të ngjashme