Policia e Tiranës ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së ndodhur pranë Gjykatës së Tiranës. Mësohet se ai është shtetasi Mexhit Picari, ish-vjehrri i personit të vrarë, shtetasit Kudret Salia.
Menjëherë pas ngjarjes, Policia zhvilloi kontrolle të shumta. Pas informacioneve të marra, u bë i mundur lokalizimi i vendodhjes dhe kapja e tij.
Këtë fakt e ka konfirmuar edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj.
Si rrodhi ngjarja?
Një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur, pas të shtënave me armë zjarri në zonën e Gjykatës së Tiranës.
I vrarë ka mbetur shtetasi Kudret Salia, i cili është qëlluar nga shtetasi Mexhit Picari.
I plagosur ndërkaq ka mbetur ish-prokurori i çështjes së “21 janarit”, Adriatik Cama.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, është kryer krehja e zonës për kapjen e autorit të dyshuar. Ky i fundit është larguar pas ngjarjes me një automjet. Grupe kontrolli janë ngritur gjithashtu në dalje të qytetit të Tiranës.
Kjo ngjarje, mendohet se ka ndodhur si pasojë e kërkesës për divorc nga Salia ndaj vajzës së Picarit. Çifti kishte tre fëmijë, por pas konflikteve të shumta është kërkuar ndarja.
Cama, nga ana tjetër, ka qenë avokat i çështjes dhe nuk mendohet se ka lidhje me konfliktin.
Në vendngjarje ka shkuar edhe ambulanca e morgut, për të marrë trupin e viktimës.
Cama ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve, por jashtë rrezikut për jetën. Sipas raportimeve, ai po i nënshtrohet operacionit për të hequr një plumb me të cilin është goditur.
Kush është Adriatik Cama?
Emri i Adriatik Camas nuk është i panjohur për drejtësinë shqiptare.
Ish-Prokurori i Tiranës, Cama, nuk e kaloi procesin e Vettingu-t, duke u shkarkuar.
Ai ishte prokurori i çështjes së ’21 janarit’, si dhe disa çështjeve të nxehta që nuk morën drejtësi.
Cama e nisi karrierën e tij si zëvendësdrejtues Prokurorie, por u shkarkua nga aty, për shkak të një çështjeje të përfunduar jo ashtu siç pritej.
Aktualisht Cama po punonte si avokat mbrojtës për Nevaldo Hajdarajn, i cili më 8 dhjetor vrau të riun Klodian Rasha.