Policia e Kosovës njofton se nga të shtënat me armë zjarri një qytetar në Prizren në rrugën “Kukësi” është plagosur rëndë. Ai ishte dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren për trajtim mjekësor, mirëpo sipas mjekëve, viktima nuk ka mundur të mbijetojë.
Sipas hetuesve rajonalë dhe krim teknikëve që kanë kryer hetime në vendin e ngjarjes në prani të kryeprokurorit dhe prokurorit të rastit është bërë e ditur se dy vëllezër dhe xhaxhai i tyre kishin dalë në një livadh afër shtëpisë së tyre për të shtënë me armë zjarri dhe me vete kishin marrë dy pistoleta.
“Gjatë manipulimit të pasigurt, dyshohet se i dyshuari E. Sh. (1996), nga pakujdesia e ka shkrehur një plumb në drejtim të xhaxhait të tij, i cili rezultoi të ishte fatal”, thuhet në njoftimin e Policisë, raporton Ekonomia Online.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy pistoleta të llojit dhe kalibrit të panjohur, katërmbëdhjetë fishekë të kalibrave dhe llojeve të ndryshëm, tri gëzhoja dhe pas bastisjes së shtëpisë së personave të dyshuar është sekuestruar edhe një pushkë gjahu.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi ndërsa i dyshuari ndalët në masën e arrestit policor.