Vrasjet, fajdetë, plaçkitjet, dhuna në familje dhe në shkolla, janë disa nga dukuritë që shqetësuan kosovarët në tri vjetët e fundit, raporton EkonomiaOnline.
Kështu u tha në edicionin special të Barometrit Kosovar të Sigurisë: Trendët e perceptimeve të qytetarëve për Sigurinë Publike (2016-2018)”, të realizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
Në këtë edicion të posaçëm të BKS-së, janë ofruar përmbledhje të perceptimeve të qytetarëve për sigurinë publike në Kosovë gjatë tri vjetëve të fundit.
Donika Marku, hulumtuese në QKSS, tha se të dhënat e mbledhura gjatë kësaj periudhe u përqëndruan në shqetësimet dhe problemet kryesore të të anketuarve me sigurinë publike, si dhe masat që duhen ndërmarrë për të përmirësuar sigurinë publike në Kosovë.
Ajo ka dhënë detaje rreth këtij hulumtimi, sa i përket perceptimit të qytetarëve për dukuritë negative që rrezikojnë sigurinë publike.
Sipas saj perceptimi i qytetarëve për vrasjet në vitin 2018 ka shënuar rritje, krahasuar me vitin 2016.
“Në vitin 2016 pothuajse 33% e të anketuarve i perceptonin vrasjet si kërcënim kyç. Kjo ka rënë 28% gjatë vitit 2017. Megjithatë gjatë vitit 2018 kjo shifër u rrit për 35%. Në vitin 2018 kemi pas një rritje prej 10% për plaçkitjen e banesave, tha ajo.
Edhe sa i përket fajdeve, dhunës në familje dhe ngacmimeve seksuale, perceptimi i qytetarëve është rritur nga viti në vit, raporton EO.
“Në vitin 2016, 35% e të anketuarve deklaruan se i perceptonin fajdetë si kërcënim, ndërsa në vitin 2018, 42%. Në vitin 2016 dhe 2017 vetëm 19% e perceptonin këtë fenomen si kërcënim (dhuna në familje) ndërsa në vitin 2018, 34% raportuan se dhunën në familje e shohin si kërcënim kyç”.
“Trendi tregon një rritje të perceptimit të ngacmimeve seksuale si problem serioz. Në vitin 2016, 28% e të anketuarve deklaruan se ata perceptuan ngacmimin seksual si kërcënim kyç. Ka pasur një rënie ndaj perceptimit të ngacmimit seksual gjatë viti 2017. Ndërsa në vitin 2018, 33% e të anketuarve deklaruan se e përcaktojnë ngacmimin seksual si kërcënim”, tha ajo.
Sipas kësaj ankete edhe qentë endacakë vazhdojnë të jenë problem kyç.
“Në vitin 2016 , 55% të qytetarëve i perceptonin qentë endacakë si kërcënim për sigurinë personale. Ndërsa në vitin 2017 kjo u rrit për 63% , ndërsa në vitin 2018 përqindja u ul në 59%. Shumica dërmuese e të anketuarve nën 30 vjeç ndihen më të sigurt në shtëpi se sa të anketuarit mbi 30 vjeç”, tha ajo.
Një shqetësim i kosovarëve mbetet edhe dhuna në shkolla.
“Gjatë periudhës 2016/2017 ka pasur raste të ndryshme të dhunës në shkolla. Në vitin 2016, 28% e të anketuarve raportuan se e shihnin dhunën në shkolla si rrezik, në vitin 2017 kjo përqindje u rrit në 31%, ndërsa në vitin 2018 kjo përqindje u rrit për 34%”, tha ajo.
Edhe sa i përket aksidenteve në trafik, në vitin 2016 më shumë se gjysma e të anketuarve 53% raportuan se i shihni si rrezik, ndërsa në vitin 2018, 59% e të anketuarve raportuan aksidentet e trafikut si rrezik.
Në këtë hulumtim po ashtu u tha se metodologjia e barometrit gjatë 3 viteve të fundit ka qenë pothuajse e njëjtë, dhe ky hulumtim prek të gjithë banorët e Kosovës.
Barometri është një program i QKSS përmes të cilit bëjmë matjen e perceptimeve të qytetarëve për sigurinë publike në Kosovë.