Katër persona kanë gjetur vdekjen dhe nëntë të tjerë janë lënduar, pasi janë sulmuar nga një pacient në një spital psikiatrik në Rumani.
Sipas autoriteteve, shkruajnë mediat e huaja, një 38-vjeçar që sapo ishte pranuar në spitalin në Sapoca, në verilindje të kryeqytetit Bukuresht, hyri në një dhomë trajtimi dhe sulmoi pacientët e tjerë me një stendë transfuzioni.
Si pasojë, tre prej pacientëve pësuan lëndime në kokë dhe vdiqën në vendin e ngjarjes ndërsa një tjetër vdiq më vonë në spital, thuhet në raporte.
Në mesin e nëntë të plagosurve në sulm, dy ishin në gjendje kome, shtohet më tej.
“Gjithçka ndodhi në më pak se një minutë”, u citua të ketë thënë drejtoresha e spitalit Viorica Mihalascu.
“Ky pacient u pranua në një nivel mbikëqyrjeje normale. Simptomat e tij nuk jepnin asnjë indikacion se një tragjedi ishte e mundshme”, ka shtuar tutje ajo.