Fillimisht ishte thënë se vizita e tij në Kosovë do të zgjaste dy ditë, por Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç zgjodhi më pas të qëndronte atje vetëm të shtunën.
Nga sa pohojnë mediat serbe, Vuçiçi e përmblodhi shkurtimisht thelbin e kësaj ndalese me këtë pohim: “Njerëzit tanë atje e kuptojnë se një qasje racionale me shqiptarët, por edhe dialogu i brendshëm, mund ta çojnë vendin përpara. Mendoj se sonte ne e dëgjuam fort dhe qartë ndjenjën drejtuar Beogradit dhe të gjithëve”.
Kreu i shtetit serb u shpreh të shtunën se Serbia do të bëjë çdo gjë për të ruajtur paqen dhe për të zgjidhur mospajtimet me shqiptarët. Këto komente erdhën në fillimin e vizitës në Kosovë pak ditë pas vrasjes së politikanit lokal serb Oliver Ivanoviç, në veriun e Mitrovicës, një episod që nxiti shumë reagime por edhe shqetësime mbi shtimin e tensioneve në rajon. Mesazhi i Vuçiçit ishte për qetësi.
“Erdha të porosis shqiptarët, pavarësisht se jo rrallë i perceptojnë serbët, nuk dua të them si armiq, por si kundërshtarë, që jo rrallë kemi interesa të ndryshme, por Serbia jo vetëm që dëshiron paqen, por do të japim gjithçka që ta ruajmë paqen dhe do të bëjmë çdo gjë që mospajtimet shumëdekadëshe e do të thoja madje shekullore, t’i zgjidhim, të sigurojmë qëndrueshmërinë e paqes dhe sigurinë për çdo familje serbe dhe çdo familje shqiptare”, deklaroi Vuçiç.
Beogradi ndërpreu të martën bisedimet teknike me Kosovën të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit, zbardhjen e shpejtë të së cilës e kërkuan një sërë organizmash ndërkombëtare. Droja më e madhe lidhet me një përshkallëzim të situatës sidomos në veriun e Kosovës, ku deri tani megjithatë nuk ka shenja që të përligjin një frikë të tillë.
Madje, analisti Janush Bugajski thotë se sado ironike të tingëllojë, kjo vrasje mund të jetë një rast për Beogradin dhe Prishtinën që të punojnë së bashku kundër terrorizmit e kundër sabotazhit apo situatash të tjera që ne i kemi parë në Ballkan më parë. Bugajski përmendi këtu Rusinë, duke theksuar se ajo nuk është palë neutrale në çështjen e dialogut, por një lojtar negativ në raportet mes Serbisë dhe Kosovës.