Presidenti i Serbisë, Akleksandar Vuçiq, thotë se u ka bërë thirrje qytetarëve të Serbisë për një dialog të brendshëm rreth Kosovës, që këtë të mos ua lërë barrë gjeneratave të ardhshme.
“Koha është që si popull të mos sillemi si struci që fut kokën në rërë, por të përpiqemi të bëhemi realistë, të mos lejojmë që të humbasim ose dikujt t’ia dorëzojmë atë që kemi, por edhe të mos presim se do të na kthehet në dorë ajo që e kemi humbur kaherë”, ka shkruar Vuçiq në një tekst autorial, të botuar në gazetën “Blic”.
Duke rikujtuar se dikur Shimon Peres kishte sqaruar se insiston për dialog me palestinezë, duke thënë “merreni me mend se çfarë mund të ndodhte po të mos e bënte këtë”, Vuçiq thotë se edhe ai, kur duhet të përgjigjet në pyetjen rreth nevojës së dialogut me Prishtinën dhe dialogun e brendshëm serb rreth Kosovës, thekson “dhe merreni me mend se çfarë mund të ndodhte… nëse të gjithë heshtim, nëse ndërpresim të bisedojmë”.
“Unë pas gjithë këtyre viteve që merrem me politikë në këto hapësira këtë përgjigje e di shumë mirë. Qysh më 1878 nga ana e të ashtuquajturës Lidhja e Prizrenit”, siç shprehet ai, “ne serbët nuk kemi dashur të jemi sa duhet të përgjegjshëm që të kuptojmë forcën dhe dëshirën e shqiptarëve”, ka thënë presidenti i Serbisë, transmeton Koha.net.
Nga ana tjetër, gabim të shqiptarëve, madje gabim të madh, e konsideron moskuptimin e interesave shtetërore dhe kombëtare serbe dhe nënçmimin e tyre.
“Serbia nuk është për t’u nënçmuar, me gjithë faktin se shqiptarët në zbatimin e ideve të tyre kombëtare gëzojnë mbështetje të rëndësishme të shumicës së vendeve të perëndimit. Serbia e sotshme nuk është si dikur, nuk është e dobët siç ishte më 1999, 2004 dhe 2008, por Serbia nuk është e as duhet të jetë e shfrenuar dhe arrogante siç jo rrallë ishte”, thekson Vuçiq në shkrimin e tij autorial.
Heshtja, siç vlerëson, do të thoshte se përgjigjet ndaj çdo gjëje nuk na interesojnë, se kemi pushuar së shpresuari dhe është cilësi e atyre që mendojnë se vetëm ata kanë të drejtë dhe se nuk kanë çfarë të mësojnë e as të bisedojnë për asgjë me këdo.
“Ky është modus i tiranive operande, vazhdimisht të gatshëm për të derdhur gjak të huaj. Në mbarim heshtja është fundi. Pas kësaj askush nuk flet”, shprehet ai.
Kundërshtarët e dialogut me Prishtinën për Kosovën, siç thotë ai, janë ata që secilën humbje e marrin për fitore dhe të cilët fatkeqësisë së tjetrit i gëzohen si fitores së vet, meqë për sukses tjetër as që ia dinë.
“Arsye e tyre për këtë lloj lëshimi, që në fakt është krim historik i llojit të vet, duke pasur parasysh rëndësinë e çështjes që kërkon përgjigje buron nga shpresa se dikush, dikujt, në fund “do t’ia dhurojë Kosovën”, prandaj për kënaqësinë e tyre do të bartë pasojat”.
Vuçiq, siç shprehet, një qëndrim të tillë mund të kuptojë nga aspekti i politikës ditore, por nga këndvështrimi historik as mund të arsyetohet, as të kuptohet. “Sepse në thelb pikërisht ajo është problemi ynë më i rëndë dhe sepse është e nevojshme, si asnjëherë deri më tash, që të gjithë bashkërisht të gjejmë përgjigjen. Atë përgjigje që do të jetë e qëndrueshme, që përjashton konfliktin si opsion dhe që të gjithëve në këto hapësira do t’u sillte leverdi”.
Ndërsa gjetja e zgjidhjes kërkon “kokë të nxehtë nga të menduarit, zemër të ftohtë nga emocionet e tepruara dhe duar të përlyera me kompromise. Edhe tonat, edhe të shqiptarëve”.
Pasi thekson se në vetëdijen kolektive serbe çdo marrëveshje është përjetuar si disfatë, Vuçiq shton se kjo nuk duhet të jetë kështu.
“Ne asgjë aq të madhe nuk kemi fituar në luftëra, që i kemi humbur në paqe. Sepse gjithë çfarë kemi fituar dhe humbur duke luftuar e kemi paguar me çmimin më të shtrenjtë të mundshëm, me atë që nuk mund të kompensohet – me jetët tona dhe të fëmijëve tanë”. Dhe kjo, siç është shprehur ai, duhet të ndërpritet, përcjell Koha.net.
“Është koha që Serbia të punojë, të mendojë me kokë dhe të fitojë, të ngadhënjejë pa konflikte. Dhe jam i bindur se që sot jemi në gjendje ta bëjmë këtë” ka thënë Vuçiq. Fundja, merreni me mend se çfarë do të mund të ndodhte, ka shtuar.
“Të gjitha udhët e bashkëpunimit politik dhe të përparimit ekonomik do të hapeshin për Serbinë. Dyert e Bashki9mit Europian, po ashtu. Në të kundërtën do ta konservojmë konfliktin kuptimi i të cilit është moskuptimi”, ka tërhequr vërejtjen presidenti serb në shkrimin autorial të botuar në të përditshmen e Beogradit “Blic”, transmeton Koha.net.
“Që përparimi ynë të jetë i përhershëm dhe i qëndrueshëm, nëse jo tjetër gjë së paku të përpiqemi ta zgjidhim nyjën (Gordiane) e Kosovës dhe jo të fshihemi dhe barrën më të rëndë t’ua lëmë fëmijëve tanë. Të jetosh, do të thotë ta duash vendin nëpër të cilin ecin fëmijët dhe jo vetëm të lavdërohesh me fitoret e gjyshërve të vet”, përfundon shkrimi i Vuçiqit.