Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se në deklaratën e Kishës Ortodokse Serbe për Kosovën nuk ka parë cila është zgjidhja.
Ai ka vlerësuar se qëndrimi i Kishës në esencë është joreal, një rrethanë e re dhe një risi e vështirë, transmeton Koha.net.
Në qëndrimin e KOS-it, siç përcjell portali informer, thotë Vuçiq, nuk ka parë zgjidhje, por ka parë vetëm atë se duhet të mbesim në konflikt të ngrirë e të presim kohë më të mira.
“E kam lexuar deklaratën ose kumtesën disa herë. Respektoj çdo gjë që kam parë, por askund nuk kam parë cila është zgjidhja. A është zgjidhje që të mohojmë çdo gjë e të presim ndonjë kohë më të mirë. Cilën kohë më të mirë, kur të jem pesë ose tre milionë banorë? Kur të shkojnë të gjithë jashtë ose ta humbim popullatën ose neve të gjithëve të na ikin 50 vjetët përpara”, ka thënë Vuçiq.
Kisha Ortodokse Serbe, nga Kuvendi i saj i sivjetmë pranveror ka dalë me në deklaratë për Kosovën në të cilën ka thënë se është kundër pavarësisë dhe kundër ndarjes së saj.