Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se nuk është i kënaqur me deklaratën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë se transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri është hap pozitiv.
Vuçiq ka thënë se është i vetëdijshëm se nuk është reale që Serbia të ndryshojë mendimin e SHBA-ve, për të cilën pavarësia e Kosovës është çështje e qartë.
Pas hapjes së një fabrike të re në Kragujevc, Vuçiq ka theksuar se gjithmonë kishte thënë se shqiptarët nuk bëjnë asgjë të vetëm, pasi prapa u qëndrojnë gjithmonë SHBA-të.
“Nuk mund ta themi gjithmonë hapur. Kanë edhe këshilltarë të tjerë në Evropë dhe për këtë arsye duhet të kthehemi nga fabrikat dhe nga e ardhmja, të mendojmë se si të fitojmë me mençuri. Ne ta mposhtim ushtarakisht Amerikën….mos. Një herë jemi munduar, nuk ia dolëm. Edhe pse atëherë ishim të sulmuar dhe e dini se çfarë mendoj unë për agresionin”, tha Vuçiq.
Duke komentuar deklaratën e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj se SHBA do të qëndrojë në krah të Kosovës nëse ndodh deri te përplasja me ushtrinë e Serbisë, Vuçiq ka thënë se Haradinaj ka të drejtë. Edhe ai pret që SHBA të jetë në krahun e Kosovës, çka do që të bëjë Prishtina dhe cilëndo marrëveshje ta shkelë.
“Është koha që ta pranojmë se SHBA e njohin pavarësinë e Kosovës dhe ky është përfundimi i tregimit për ta. Nuk është reale që Serbia të mund t’ia ndryshojë mendimin Amerikës. Duhet të kemi kujdes”, theksoi ai.
Duke reaguar pas lajmërimit nga MPJ e Serbisë se Madagaskari ka tërhequr njohjen e Kosovës, Vuçiq ka falënderuar qeverinë e Madagaskarit dhe insistoi se Serbia mund të luftojë për interesat e saj.
“A do ta largojë kjo nga telashet dhe mundimet tona, sigurisht se jo. Por, i jam falënderuar atij shteti të mrekullueshëm, do të kemi mundësi t’i vlerësojmë në të ardhmen”, përfundoi ai.