Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë zhvilluar sot një takim kokë më kokë në Beograd, ku kanë konfirmuar vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
Pas takimit kokë më kokë, siç rapoton ‘Blic.rs’, presidenti serb ka thënë se me emisarin e BE-së, kishte një takim të mirë përgatitor.
“Faleminderit Lajçakut për vizitën. Kishim një takim shumë të mirë përgatitor. Serbia plotësisht e përkrah dialogun, i cili duhet të zhvillohet nën përkujdesjen e BE-së. Pres që dialogu të vazhdojë në një afat sa më të shkurtër, ka mundësi qysh në korrik. I respektoj përpjekjet e Richard Grenellit për bashkëpunimin mes Prishtinës dhe Beogradit, por për neve nuk ka asnjë dilemë dhe jemi të përkushtuar për dialog nën përkujdesjen e Bashkimit Evropian”, ka thënë Vuçiq, përcjell Telegrafi.
“Ne e kuptojmë se Lajçak, me autoritetin, dijen dhe përkushtimin e tij, mund të garantojë objektivitetin dhe paanshmërinë në atë proces. Ne nuk mund të bisedojmë nëse e vetmja kërkesë është që ne ta njohim pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq dhe shtoi se Lajçak vendos për datën për vazhdimin e dialogut.
Vuçiq nuk e përjashtoi mundësinë që të shkojë në Bruksel midis vizitave në Moskë dhe Uashington, sepse, siç theksoi ai, kjo është e rëndësishme për shkak të së ardhmes evropiane të Serbisë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se nuk mund të zbulojë detajet e bisedës me Lajçakun, por tha se “mesazhi kryesor ishte që ne mund t’ia afrojmë të ardhmen evropiane Serbisë, nëse do të ishim të përkushtuar”
Lajçak falënderoi Vuçiqin për gatishmërinë e tij për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.
“Ai e kupton sa e rëndësishme është kjo për këtë popull. Unë pres që dialogu nën kujdesin e BE-së të vazhdojë në korrik në Bruksel. Serbia është pjesë e Evropës, problemet tuaja janë problemet tona dhe zgjidhjet tuaja janë zgjidhjet tona. Rruga e Serbisë për në BE është e lidhur ngushtë me këtë dialog”, tha Lajçak.
Para shkuarjes në Serbi, diplomati sllovak qëndroi për vizitë treditore në Kosovë, ku u takua me përfaqësuesit e institucioneve dhe partive politike, për të diskutuar në lidhje me vazhdimin e dialogut.