Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të luftës speciale kundër Kosovës, e konsideron prioritet rrëzimin sa më të shpejtë të Qeverisë së Kosovës.
Veç kësaj, Vuçiq dhe Lista Serbe, insistojnë që në Kosovë, më së largu në muajin mars, të ketë zgjedhje të reja. Kështu kanë thënë edhe publikisht Aleksandar Vuçiq dhe Aleksandër Vulin, për mediat serbe.
Këtë dëshirë dhe qëllim të zyrtarëve të Serbisë për Koha.net e konfirmon edhe zyrtari i Qeverisë së Kosovës.
Bajram Gecaj, zëvendësministër i Qeverisë së Kosovës, përkatësisht në Ministrinë e Administrimit të Pushteti Lokal, që drejtohet nominalisht nga Lista Serbe, në një prononcim për koha.net, thekson se Qeveria e Serbisë, dhe Vuçiq tashmë e ka agjendë ditore përpjekjen për të rrëzuar Qeverinë e Kosovës, e cila, ka thënë ai, po arrin të përballet me sfidat e saj.
“Arsyet pse Vuçiq dëshiron rrëzimin e Qeverisë së Kosovës dhe për këtë synim ka vënë në lëvizje të gjithë faktorët e saj në Kosovë, lidhet me idenë që futja e Kosovës në një proces zgjedhor, duke pas parasysh edhe rivalitetet eventuale politike, mund të prodhojë tensione brenda partive shqiptare, të cilat do të krijonin terren të përshtatshëm për veprimin e Serbisë në veri, si dhe dobësimin substancial të Prishtinës karshi Beogradit. Një tjetër skenar, që Beogradi e preferon është që pas zgjedhjeve eventuale, Kosova të hyjë në ndonjë lloj ngërçi si ai i pas zgjedhjeve të kaluara, duke e lënë vendin pa institucione legjitime për të çuar përpara procese të rëndësishme siç janë demarkacioni me Malin e Zi dhe krijimi i Ushtrisë, çka njëkohësisht do të forconte pozitat e Listës Serbe në Qeverinë e ardhshme. Po ashtu, zgjedhjet do të ishin rast i mirë për largimin nga Lista Serbe të disa të pabindurve, që së fundi, pa e pyetur Vuçiqin, e shkarkuan nga posti i ministrit të MAPL-së ministrin e mëparshëm, Lubomir Mariq, duke betonuar kështu përfundimisht pozitat e tij në këtë listë”, thekson Gecaj për Koha.net.
Zëvendësministri Gecaj, thotë se Beogradi nuk do të zgjedhë mënyrë në përpjekje për destabilizuar situatën, qoftë edhe përmes proceseve elektorale.