Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Albin Kurti është fajtori kryesor për ngjarjet e fundit në veri e se qëllim kryesor ka që ta fusë Serbinë në konflikt me NATO-n.
Vuçiq, në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat në Serbi, pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës, ka thënë se nuk e arsyeton vrasjen e policit kosovar.
Mirëpo, sipas tij është e pafalshme vrasja e tre serbëve në Kosovë, të cilët janë “të mbushur” nga veprimet e Kurtit, përcjell Ekonomia Online.
“Në të vërtetë do të flasim vetëm për atë që ka ndodhur, pastaj do ta bëjmë vlerësimin e kësaj. Mbrëmë rreth orës 2 një grup i serbëve nga Kosova i kanë vendosur dy kamionë në Banjskë pastaj vjen Policia e Kosovës që tenton t’i largojë ato barrikada dhe pason konflikti, ku është vrarë një polic dhe një tjetër është plagosur”.
“Në 8:57 vendkalimet në Jarinjë e Bërnjak janë mbyllur dhe të shtënat kanë vazhduar. Ndonëse për këtë kemi folur çdo herë dhe çdo ditë kam tërhequr vërejtjen që kjo mund të ndodhë nga njerëzit në Kosovë, që nuk kanë dashur ta durojnë terrorin e Kurtit”, ka thënë ai.
“Që nga nëntori Kurti ka përdorur 62 herë policinë e Kosovës ndaj serbëve në veri. Ai është fajtori kryesor, që dëshiron ta fusë Serbinë në konflikt me NATO-n”, ka thënë Vuçiq.
“Tre serb të Kosovës janë vrarë, dy prej tyre me snajper, raportohet që edhe i katerti ka vdekur”, tha Vuçiq.
Ai tha se kanë inqizime se si qeshet policia e Kosovës se si nuk ndihmohen të plagosurit.
“Ata kanë përdorur snajper dhe kanë sulmuar edhe në shtëpi private”, tha Vuçiq.