Pasi u tërhoq nga bisedimet në Bruksel, Aleksandar Vuçiq duket se do të bojkotojë edhe punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në vend të tij, raportojnë mediat serbe, në New York do të shkojë kryeministrja Ana Brnabiq.
Burime të ‘Danas’ thonë se presidenti do ta anashkalojë eventin disaditor për shkak të angazhimeve të tjera të tij, transmeton Shqip.
Vuçiq e pati lënë të kuptohej këtë, javën e kaluar, kur e paralajmëroi këtë mungesë me një justifikim jo fort bindës.
“Thjesht dua të jem më shumë në vend, nuk mund të jem gjithë kohës jashtë vendit”, citohet të ketë thënë ai.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndërkohë pritet të takohet javën e ardhshme me shefin e Shtëpisë se Bardhë, Donald Trump, dhe shtypi serb ka komentuar edhe për këtë zhvillim.
Sipas mediave atje, një lëvizje e tillë do të ishte goditje e fortë për Beogradin zyrtar.
Me deklaratën e ambasadorit të SHBA-së në Beograd, Kyle Scott, Amerika e tregoi më qartë se çdo herë tjetër se favorizon një zgjidhje paqësore të marrëveshjeve, dhe se mbështetet në zgjuarsinë e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, siç e theksoi diplomati i lartë, ndërmjetësuesja e procesit të dialogut.
Thaçi dhe Vuçiq po i mëshojnë që të dy idesë së shumëkundërshtuar të ndryshimit të kufijve, dhe Mogherini ka deklaruar se për të, çdo zgjidhje është e pranueshme për sa kohë mbetet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Një ditë më parë, ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq deklaroi se “ideja e kufijve” është e vetmja ide konkrete e hedhur deri tani dhe Serbia doli me të “për shkak se Shtetet e Bashkuara, Rusia, Italia, Franca dhe Bashkimi Europian, kanë ndryshuar qëndrimin dhe kërkojnë një zgjidhje paqësore për Kosovën”.