Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të martën se pret dorëheqje të reja prej zyrtarëve qeveritarë të nesërmen, për shkak të tragjedisë që ka ndodhur në Novi Sad, më 1 nëntor, kur një strehë e betonit të stacionit hekurudhor është shembur dhe ka vrarë 15 persona.
“Përgjegjësia nuk mund të shmanget. Ndonjëherë duhet të merrni përgjegjësi politike e morale edhe kur jeni plotësisht i pafajshëm”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se 15 persona nuk kanë vdekur për fajin e tyre, por sepse “dikush nuk e ka kryer punën siç duhet dhe në përputhje me ligjin”.
Ai ka thënë se në muajt në vijim do të bëhet problem fakti që projektet janë ndalur në Serbi nga “presioni dhe frika e përhapur”.
“Ka të bëjë me faktin që sot nuk mund të marrësh nënshkrimin e asnjë institucioni shtetëror për asgjë, askush nuk dëshiron të nënshkruajë asgjë. Nuk mund të kryhet as rindërtimi i mbikalimeve dhe nënkalimeve në Serbi”, ka thënë ai.
Aktivistët kanë mbajtur dhjetëra protesta në Novi Sad dhe Beograd, ndërsa opozita dhe disa qytetarë janë duke kërkuar llogari nga Qeveria për tragjedinë në Novi Sad.
Aksidenti ka ndodhur pas rihapjes së stacionit hekurudhor të Novi Sadit në korrik të këti viti, pas tre vjetësh të rindërtimit.
Vuçiq për kriteret për anëtarësim në BE
Vuçiq ka thënë edhe se synimet e Qeverisë janë që të përmbushen të gjitha kriteret për anëtarësim në BE deri në fund të vitit 2026.
“Nuk po them se do të hyjmë në BE më 2026 apo 2027, kjo nuk ka përket neve, u përket evropianëve, mirëpo ne do t’i plotësojmë të gjitha kriteret. Kjo është detyrë ambicioze”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian në pjesën për Serbinë është thënë se ky shtet nuk ka arritur përparim në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë, meqë nuk ka arritur t’i harmonizojë politikat me ato të bllokut evropian.
Mes tjerash, në raport janë përmendur shqetësimet për forcim të bashkëpunimit në mes të Beogradit dhe Moskës.
Pavarësisht thirrjeve prej Brukselit, Serbia vazhdon të refuzojë sanksionimin e Rusisë për luftën në Ukrainë, dhe Beogradi vazhdon të kultivojë lidhje të ngushta me Kremlinin.
Serbia i ka nisur negociatat për anëtarësim në BE më 2014./REL/