Mediumi i njohur evropian, Euronews, ka zhvilluar një bisedë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ku kanë folur për të ardhmen e vendit të tij dhe lidhjen e pashmangshme me Kosovën në këtë rrugë.
I pyetur se kur do të mund të anëtarësohet Serbia në Bashkimin Evropian, pas parasysh se bazuar në buxhetin e propozuar nga Komisioni Evropian nuk ka shenja se ndonjë vend do të mund të anëtarësohet në bllok para vitit 2027, Vuçiq thotë se askush s’ka garantuar se vendi i tij do të jetë pjesë e BE-së më 2025.
“Ata kanë thënë: ‘Nëse i kryeni punët…’ Kishte të bënte kryesisht me marrëveshjen me Kosovën. ‘Nëse i zgjidhni të gjitha problemet me Prishtinën’ dhe më pas gjithçka tjetër, përfshirë sundimi e ligjit dhe gjithçka që kërkojmë nga ju, atëherë do të mund të bëheshim anëtar i BE-së më 2025. Dhe jemi në rrugën e BE-së që nga viti 2000. Kanë kaluar 18 vjet dhe për këtë arsye njerëzit ndihen, herë pas here, të lodhur. Por, sidoqoftë, nuk ka zgjidhje më të mira. Ne do ta kryejmë punën tonë. Do të investojmë përpjekje të mëdha në tentim për të gjetur një zgjidhje për krizën e Kosovës”, ka thënë Vuçiqi në këtë bisedë, transmeton Koha.net.
Gazetari i Euronews e pyet Vuçiqin se si do të duket ky normalizim mes Kosovës e Serbisë në realitet, duke qenë se javën e kaluar, ekipi i Kosovës në karate u ndalua të hyjë në Serbi.
“Ne vepruam në mënyrën shumë të duhur. Ua lejuam atyre hyrjen, por pa flamur shtetëror të Kosovës. Sepse ne ata nuk janë shtet. Por jo vetëm për ne. Por për të gjithë të tjerët. Dhe ne u pajtuam që të vijnë pa flamuj shtetërorë dhe se nuk do të ketë as flamuj serbë, e as të shteteve tjera pjesëmarrëse. Kjo mund të bëhet, pa himn shtetëror e pa asgjë tjetër. Ata thanë; ‘Jo, jo, nuk e pranojmë këtë’ sepse deshën të ndaloheshin”, deklaroi presidenti serb.
Gazetari i thotë se nga jashtë, veprimi i javës së kaluar me ekipin kosovar të karatesë është dukur i ngjashëm me provokimin e vitit të kaluar, kur Serbia nisi trenin ne Kosovës me një flamur të madh serb dhe me mbishkrimet “Kosova është Serbi” dhe se kjo mund të ketë qenë provokim i dyanshëm.
“Nuk ka provokime të dyanshme. Nëse na thoni neve se Kosova është shtet i pavarur, a është provokim i madh kundër Serbisë? Madje edhe vendi juaj, vendi prej nga vini, e ka njohur pavarësinë e Kosovës, a është ky një provokim i madh sot? A t’ju konsideroj juve si provokues të madh? Sepse ke një mendim ndryshe në lidhje me statusin ligjor të Kosovës në krahasim me ne? Ne e respektojmë faktin se mendojnë ndryshe nga ne, kur flasin për statusin ligjor të Kosovës. Dhe ky është dallimi. Dhe ende mendoni se ka qenë provokim se dikush e ka shkruar ‘Kosova ishte Serbi’. E pabesueshme. Unë mendoj se Kosova është Serbi. Apo ju provokoj? Apo çka? A do t’më arrestoni? Do t’më vrisni? Apo çka? Nëse ky është provokim i madh. Dhe në të njëjtën kohë, jam shumë i gatshëm të flas për kompromise dhe të bëjë koncesione sa më shumë që të jetë e mundshme. Por jo të poshtëroj popullin dhe të mos i rrezikoj interesat e Serbisë”, theksoi Vuçiq, transmeton Koha.net.
Shefi serb u pyet edhe për sanksionet ndaj Rusisë dhe vendimin e shtetit të tij që të veprojë kundër shteteve evropiane e SHBA-së.
“A mund të merrni me mend t’i vëmë sanksione Rusisë? Rusia, bashkë me Kinën, është vendi i vetëm që na përkrah në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kur flasim për integritetin territorial të Serbisë. Çfarë prisni nga ne? Të na i presin këmbët? Dhe tani të themi, në rregull tani, gjithçka është mirë. Dhe të themi po, kur themi ‘Kosova është Serbi’ është provokim i madh. Kjo tregon se madje as ju nuk keni ardhur te unë dhe nuk mendoni se duhet të jeni neutral në lidhje me statusin e Kosovës. Jo. Edhe pse janë pesë shtete të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Pse nuk u thoni atyre, ata po e provokojnë Evropën në baza ditore”, deklaroi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.