Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë në Bruksel se situata rreth dialogut Beograd-Prishtinë është shumë më e vështirë sesa duket.
Sipas tij qëllimi strategjik i Serbisë është ende rruga për në BE, por që siç tha ai “ne duhet të rregullojmë në mënyrë taktike, sepse “gjyqtari vendosi të ndryshojë rregullat gjatë lojës”.
Pas një darke të përbashkët të liderëve të Ballkanit Perëndimor me kryediplomaten evropiane, Federica Mogherini, Vuçiq i pyetur nëse ai kishte diskutuar vazhdimin e dialogut me Prishtinën në atë takim, tha se ai e bëri, por nuk dëshironte të jepte detaje të bisedimeve.
“Ne kemi biseduar, por nuk dua të përfitoj nga rasti të parashtroj ato që kam thënë. Ajo që po thosha nuk ishte e këndshme për të gjithë. Nuk dua të fitoj pikë politike. Puna ime është të shqetësohem për paqen dhe stabilitetin dhe kjo është arsyeja pse unë nuk do të flas për detajet”, shtoi ai, transmeton Klan Kosova.