Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me presidentin austriak, Alexander Van Der Bellen, e ka lutur këtë të fundit që Vjena të tregohet më e përmbajtur dhe të pres mundësitë eventuale për marrëveshje kompromisi me Kosovën, e sidomos sa i përket anëtarësimit eventual të Kosovës në Interpol.
Anëtarësimi i Kosovës në Interpol, sipas Vuçiqit do të nënkuptonte hapje të së paku dy problemeve.
“I pari është që shqiptarët më nuk do të duan të negociojnë për asgjë, por do të presin hapin e radhës, e që janë OSBE-ja dhe OKB-ja. Ata do të fluturojnë në krahë politikë dhe nuk do të duan zgjidhje kompromisi. Serbia nuk do të lëshojë pe ndaj këtij presioni dhe kështu do të arrijmë në qorrsokak”, tha presidenti serb në një konferencë të përbashkët me shefin e shtetit austriak.
“Gjëja e dytë që do të ndodhë është se menjëherë do të kemi 5 mijë serbë në listat e Interpolit”, shtoi Vuçiqi.
Vuçiq mes tjerash theksoi se me presidentin austriak kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket Kosovës, ndonëse sipas tij Serbia është gjithmonë e gatshme të negociojë.