Vuçiqi në Bruksel: Na presin tri çështje të rëndësishme

Prishtinë | 06 Sht 2020 | 12:35 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ndodhet në Bruksel, ku sipas mediave serbe, e presin takime me zyrtarët e BE-së.

Ai ka theksuar se bisedimet do të zhvillohen rreth tri çështjeve të rëndësishme.

“E para ka të bëjë me të zhdukurit, pastaj të zhvendosurit dhe çështja e tretë është ekonomia”, ka deklaruar presidenti i Serbisë.

Ai ka treguar se ka zhvilluar një takim të mirë me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçakun si dhe përfaqësuesin e posaçëm amerikan për Ballkanin, Matthew Palmer.

“Kemi folur për të gjitha temat e rëndësishme. Të hënën vazhdon dialogu zyrtar, sot kemi takime të rëndësishme të ekipeve tona dhe besoj se do të ketë rezultate”, ka thënë Vuçiqi.

Vuçiq e ka dhënë mendimin e vet rreth asaj se si e sheh BE-ja marrëveshjen e nënshkruar në Washington.

“Bashkimi Evropian padyshim se dëshiron rol të rëndësishëm për veten. Ata po e analizojnë atë që është arritur në Washington dhe besoj se po e shfrytëzojnë një pjesë të saj”, ka thënë presidenti serb.

Të ngjashme