Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas mediave serbe, kanë treguar gatishmëri të angazhohen në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nëse do të kërkohet ndihma e tyre nga palët në këtë proces.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nëse nuk arrihet marrëveshja me Kosovën, “Serbinë e presin ditë të vështira, kurse aktualisht ka më shumë mundësi që marrëveshja të mos arrihet”.
“Po e përcjellim rrjedhën e bisedimeve në mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe nëse kërkojnë ndihmë, do të jemi në dispozicion. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin dialogun nën patronazhin e BE-së, qëllimi i të cilit është normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA në Beograd, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetës “Novosti”, nëse SHBA-të janë të interesuara të angazhohen në procesin e negociatave për Kosovën, përcjell Telegrafi.
Sipas gazetës serbe, amerikanët praktikisht konfirmuan mundësinë që Washingtonin të marrë rol më të madh në negociata. “Sipas njohurive që kemi, ideja është që përfaqësuesi i SHB-së të veprojnë nga pozicioni i këshilltarit dhe jo si një ndërmjetës zyrtar, për të shmangur mundësinë që Serbia të kërkojë përfshirjen e Moskës në dialog.
Gjithashtu, dëshirë për të marrë pjesë drejtpërsëdrejti në marrëveshjen për Kosovën, kanë treguar edhe nga Gjermania, Franca dhe Holanda”, shkruan gazeta.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dje tha se nuk është reale të vijë deri te një zgjidhje për Kosovën pa Amerikën dhe Rusinë.
“Këto vende duhet të informohen dhe të pajtohen me marrëveshjen eventuale”, tha ai.
Duke komentuar përpjekjet e disa vendeve perëndimore për të marrë pjesë më drejtpërdrejt në dialog, Vuçiq tha se nuk sheh arsye pse të mos përfshihen edhe Kina dhe Rusia.
“Përse do të merrnin pjesë vetëm vendet që njohin pavarësinë e Kosovës” tha ai.
Në pyetjen nëse ekziston e ashtuquajtura “letra amerikane”, respektivisht propozimi i Amerikës për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Vuçiq nuk ka dhënë përgjigje konkrete.
“Më mirë të mos përgjigjem. Mendoj se të gjithë e dinë se cila është përgjigja e saktë, pavarësisht se kush çfarë thotë. A janë shprehur idetë e ndokujt për Serbinë, në ndonjë mënyrë? Jo, nuk janë”, tha ai.
Sipas presidentit serb, “nëse nuk arrihet marrëveshje, Serbinë e presin kohëra të vështira, kurse aktualisht ka më shumë mundësi që marrëveshja të mos arrihet”.
Vuçiq tha se pret vazhdimin e dialogut apo, siç tha ai, “një lloj të ri të dialogut” për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën deri në fund të qershorit.