Për ta udhëhequr një grup të tifozëve asnjëherë nuk është lehtë. Tifozët nuk kanë rregulla dhe tribuna shpesh mund të jetë “skenë incidenti”.
Zakonisht, në krye të tyre zgjidhet një tifoz “i fortë” dhe me autoritet te të tjerët. Por, në Rahovec situata është krejtësisht ndryshe.
Grupin e tifozëve “Vreshtarët”, që përkrah ekipin e basketbollit dhe futbollit të Rahovecit, e udhëheq një adoleshent. Bëhet fjalë për 17-vjeçarin, Hasan Vuçitërna, që këtë detyrë po e kryen me përkushtim prej vitit të kaluar.
Megjithatë, Vuçitërna nuk ka dëshirë të konsiderohet si lider. Ai me modesti thotë se grupi i tifozëve “Vreshtarët” ka dy liderë: Vuçitërna si kryetar dhe Ismajl Morina (18) nënkryetar. Për punën, organizimin dhe përkrahjen maksimale që kanë treguar ndaj skuadrave të Rahovecit, janë shpërblyer edhe me mirënjohje nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e kësaj komune, javë më parë. (Koha Ditore)