Slobodan M.Vujiçiq, kryetar i Shoqatës dhe Unionit të Malazezëve në Kosovë, përmes një letre dërguar medieve u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të njohin realitetin dhe së bashku me të gjitha bashkësitë tjera etnike të ruajnë paqen e fituar dhe të ndërtojnë një Kosovë më të mirë dhe të begatë.
Kjo letër, siç thotë Vujiçiq, vjen pas “deklaratave të disa deputetëve, sidomos deklarata se ‘marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve janë në nivelin më të keq’”.
“Edhe pse ata janë betuar se do të kujdesen për pasurinë e përbashkët dhe do të punojnë në interes të të gjithë qytetarëve të tyre, Lista Serbe, me qasjen e vet negative po bën gjithçka për të destabilizuar situatën. Një sjellje e tillë e zyrtarëve të Listës Serbe është e papranueshme dhe nuk duhet të tolerohet”, shkruan në letrën e tij përfaqësuesi i malazezëve në Kosovë.
“Lista Serbe po bojkoton institucionet, megjithatë, nuk po i bojkotojnë pagat dhe benefitet tjera nga institucionet e Republikës së Kosovës – fakt që portretizon karakterin e tyre amatoresk”, ka shkruar më tej Vujiçiq.
Sipas tij, përpjekjet e tyre për t’i ikur realitetit është dëshmi e dobësisë dhe paaftësisë së tyre për të qenë përfaqësues të subjekteve të cilave ata i përkasin.
“Prandaj, ne i bëjmë thirrje serbëve të Kosovës që të shikojmë në faktet dhe jo deklaratat e pabaza, të cilat u shkaktojnë dëm pikërisht serbëve nga Kosova. Kjo është arsyeja pse ne duam të besojmë se serbët e Kosovës do të njohin realitetin dhe se së bashku me të gjitha bashkësitë tjera etnike të ruajnë paqen e fituar dhe do të punojnë për të ndërtuar një Kosovë më të mirë dhe të begatë”, thuhet në letrën e Vujiçiq. /Telegrafi/