Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, i është përgjigjur Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili gjatë ditës së djeshme deklaroi se problemi më i madh nuk është Kosova, por është Serbia dhe Aleksandar Vuçiq.
“Kurti tha të vërtetën, Aleksandar Vuçiq është problemi më i madh i shtetit të rremë të Kosovës”, thuhet në fillim të deklaratës që u përcoll në media nga Ministria e Brendshme.
“Kurti e di se derisa Aleksandar Vuçiq të udhëheq me Serbinë, Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë shtet, ashtu siç e di se nuk do të jetë në gjendje t’i dëbojë serbët me forcë ose të përsërisë krimet pa u ndëshkuar”, citohet të ketë thënë Vulin.
Ndryshe, Kurti në një intervistë për televizonin kroat HRT ka thënë se Vuçiq ende mendon dhe flet si të jetë në vitet 1990-ta.
“Ne ende kemi probleme me Serbinë. Kosova nuk është problemi këtu, është Serbia, veçanërisht presidenti i atij vendi, që mendon e flet si në vitet 90-ta të shekullit të kaluar. Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak janë në krizë jo për shkak të serbëve, por për shkak të presidentit të Serbisë”, ka thënë Kurti.