Zëvendës-Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Rejhan Vuniqi, ka kërkuar shtimin e dinamikës dhe rritjen e përpjekjeve nga ana e Parlamentit Evropian për sigurimin e njohjeve edhe nga pesë shtetet e mbetura anëtare të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e vendit në Organizatat
rajonale dhe Ndërkombëtare.
Kjo kërkesë e Zëvendësministres Vuniqi, u shtrua në debatin “Kosova para dhe dhjetë vjet pas”, i cili u organizua nga Partia Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel.
“Gjatë dekadës së shkuar, me mbështetjen nga miqtë tanë, duke përfshirë Parlamentin Evropian, Kosova është njohur nga shumica dërmuese e vendeve të lira dhe ne jemi bërë anëtarë të shumë Organizatave Rajonale dhe Ndërkombëtare. Më lejoni të shpreh mirënjohjen tonë për të gjithë Ju dhe ish-Raportuesen, Ulrike Lunacek, për thirrje të njohjeve dhe anëtarësim të Kosovës në Organizata Ndërkombëtare në çdo Rezolutë për Kosovën…Ne, do të vazhdojmë punën tonë në lobim për më shumë njohje dhe dëshirojë ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe të kërkojë mbështetjen Tuaj për avancimin e pozitës tonë, në veçanti me pesë vendet jo-njohëse të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin në Organizata rajonale dhe Ndërkombëtare”, ka thënë Vuniqi, duke nënvizuar se “pjesëmarrja e Kosovës në Organizata rajonale dhe ndërkombëtare është jetike për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e Kosovës, Ballkanit Perëndimor dhe madje edhe Evropës”.
Në vazhdim të fjalimit të saj, Vuniqi ka prezantuar të arriturat e gjithmbarshme, që Republika e Kosovës ka arritur brenda kësaj dekade, sfidat me të cilat është përballur në rrugën e shtet-ndërtimit si dhe kampanjën agresive dhe pengesat e vazhdueshme të Serbisë karshi ekzistencës së shtetit të Kosovës.
Në këtë debat kanë marrë pjesë, anëtarë të Parlamentit Evropian, Komisioni Evropian,
Shoqëria Civile dhe Mediat.