Vushtrria apelon për kujdes ndaj zjarreve pyjore   

Prishtinë | 19 Kor 2016 | 16:12 | Nga

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Vushtrrisë, ka kërkuar vigjilencë më të madhe dhe mobilitet të gjithë qytetarëve dhe subjekteve në mbrojtjen nga zjarret pyjore dhe zjarret e tjera në mjedise të hapur, për shkak të rritjes së temperaturave të jashtme dhe periudhës së thatë në vijim.

Si masa të domosdoshme për uljen e rrezikut nga shkaktimi i zjarreve pyjore dhe zjarreve të tjera në mjedis të hapur, drejtori i DMSH, Nezir Klinaku , apelon te qytetarët që të mos ndizet zjarr në mjedis të hapur dhe në vende të pasiguruara, të mos ndizen kallamishte dhe sipërfaqe tjera, të mos hidhen shishe xhami dhe paketime dhe mbetje tjera prej qelqi, të mos ndizen mbeturinat dhe materiale tjera të djegshme, dhe të mos hidhen bishta të cigareve.

“Zjarri mund të shkaktohet me një fije shkrepëse apo një cigare të hedhur, por nuk mund të shuhet me ekipe të tëra të zjarrfikësve, përderisa pasojat e tij mund të jenë shkatërruese”, thotë Klinaku.

Ai apelon te të gjithë qytetarët, sidomos te të rinjtë që të shmangin ndezjen e arave të korrura, pasi që këto aktivitete po shkaktojnë rrezik në sigurinë e përgjithshme të qytetarëve, por edhe dëme të mëdha në pasuritë dhe të mirat publike dhe private.

Nga DMSH apelojnë që nëse dikush vëren zjarr, menjëherë ta njoftojë Njësinë e zjarrfikësve. SHPK, DMSH dhe organet tjera përkatëse, sepse lajmërimi dhe alarmimi me kohë i shfaqjes së zjarrit mundëson intervenimin e shpejtë dhe efikas të shërbimeve të zjarrfikësve në lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit.

Duke vepruar kështu ju përmbushni obligimin tuaj qytetar dhe kontribuoni në mbrojtjen e mjedisit tonë të përbashkët jetësor nga rreziqet e zjarrit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme