Komuna e Vushtrrisë ka themeluar sot Task Forcë të veçantë dhe ka aprovuar disa masa për të siguruar ujë të pijes për qytetin gjatë sezonit të verës.
Këtë veprim, Komuna e Vushtrrisë thotë se e ka marrë me qëllim të adresimit të shqetësimeve nga KUR “Mitrovica” lidhur me keqpërdorimin e ujit të pijes.
Masat konkrete që janë aprovuar sot në takimin e drejtuesve të Komunës në krye me kryetarin Xhafer Tahiri, me Drejtorin e KUR “Mitrovica” njësia në Vushtrri, Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin komunal janë:
– Fabrika e ujit në Vushtrri do të shtojë prodhimin e ujit gjatë sezonit ku orari i punës do të zgjatet në 18 orë në ditë nga 12 sa është tani;
– Ndalohet përdorimi i ujit të pijes për bizneset si autolarje; pastaj ndalohet përdorimi i ujit të pijes për ujitje të kopshteve apo pastrim të oborreve e trotuareve;
– Të gjitha bizneset shërbyese në Vushtrri duhet të ndalojnë përdorimin e ujit të pusit, kjo me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik të qytetarëve;
– Me qëllim të rritjes së sigurisë sanitare, është marr vendim për inspektim të bizneseve hoteliere dhe të përgatitjes së ushqimit, nëse janë të lidhura apo jo në rrjetin e ujësjellësit.
– Angazhimi i policëve të dedikuar për punë në komunitet për të marrë masa ndaj keqpërdorimit të uji kudo që e hasin policët apo inspektorët komunal.
Task Forcën komunale do të udhëheqë Nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Besim Muzaqi.