Vetëvendosje thotë se aktivistët e saj, të dënuar për sulmin në Kuvend, por që me vendim të Gjykatës së Apelit sot iu është ndërprerë masa e paraburgimit, duhet të shpallen të pafajshëm.
Egzon Haliti, Frashër Krasniqi dhe Atdhe Arifi sot u vendos që të mbrohen në liri. Ata u dënuan nga Gjykata Themelore në nëntor me 21 vjet burgim.
Vetëvendosje thotë se vendimi i sotëm, që ka të bëjë vetëm me ndërprerjen e masës së paraburgimit, është hap i mirë që atyre t’u kthehet “liria e rrëmbyer padrejtësisht”.
“Kjo masë nuk është e mjaftueshme dhe ne kërkojmë lirimin e plotë dhe shpalljen e tyre të pafajshëm. Kjo është më e pakta që mund të bëhet si korrigjim i padrejtësive të shkaktuara në një proces i cili deri më tani i ka marrë 18 muaj. Drejtësia duhet të triumfojë përmbi ndikimin dhe diktatin politik”, thuhet në një reagim të Vetëvendosjes.