Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka thënë se arrestimi i Marko Gjuriqit mund të jetë skenar i lidhur me riaktualizimin e “Zajednicës”
Qytetarët e Kosovës, të shqetësuar e të ekzaltuar po ndjekin nëpërmjet mediave ngjarjet e fundit në Mitrovicë. Më të shqetësuarit janë banorët e vetë Mitrovicës, qytetit të ndarë, i cili për dy dekada me radhë mbetet peng i politikave shantazhuese të qeveritarëve shovenistë të Beogradit dhe qeveritarëve të korruptuar të Prishtinës.
I ftojmë qytetarët që të ruajnë qetësinë dhe të presin për të kuptuar se ç´po ndodh, pasi që përcjellja e transmetimeve të drejtpërdrejta nëpër medie shpesh nuk lë hapësirën dhe kohën e duhur për reflektim. Imazhi që përcillet, i pa analizuar, jo rrallë është vetëm paketim i proceseve dhe skenarëve që mbeten të pashpjeguara për publikun e gjerë. A ka qenë serioz vendimi politik dhe urdhri pas këtij aksioni policor, apo ka qenë mbulesë e pretekst për diçka tjetër, do të merret vesh saktë vetëm në ditët në vijim.
Aksioni i arrestimit të Marko Gjuriqit është zhvilluar pa probleme, dhe kjo tregon se aksione të tilla ka patur mundësi të bëheshin edhe më përpara. Fakti se aksione të tilla nuk ka patur më përpara, por vetëm tani, pas darkës që hëngrën bashkë Thaçi me Vuçiqin në datën 23 mars, tregon se ky aksion ka mundësi të jetë një skenar i lidhur me riaktualizimin e «Zajednicës» e ndoshta edhe paralajmërimet e Vuçiqit për zgjidhjen që do të prezantojë ai në prill të këtij viti.
Serbia në veri nuk është e pranishme vetëm përmes Gjuriqit, por janë edhe strukturat paralele, të cilat nuk janë shuar e nuk janë ndalur kurrë. Ato vazhdojnë të terrorizojnë banorët e të gjitha etnive, dhe vazhdojnë ta pengojnë shtrirjen e sundimit të ligjit të Republikës së Kosovës në atë pjesë. Regjimi në Kosovë vazhdon ta tolerojë veprimtarinë ilegale të strukturave paralele, edhe pse sot ndërmori një aksion spektakolar për arrestimin e Gjuriqit, duke u kujdesur të marrë me vete edhe kamerat e televizioneve e duke e nxjerrë Gjuriqin si trofe lufte në trotuarët e Prishtinës.
Ne e përgëzojmë profesionalizmin e policisë së Kosovës, dhe shpresojmë që ky aksion të mos jetë pa një politikë strategjike shtetërore. Sepse aksionet pa strategji prodhojnë spektakël të rrezikshëm njëditor, siç ndodhi më 25 korrik 2011, kur Thaçi urdhëroi forcat speciale të shkonin në veri, dhe kjo më pas solli përkeqësim të gjendjes atje.
Shtetësia e Kosovës nuk dëshmohet përmes spektaklit policor në koordinim me darkat e Thaçit dhe Vuçiqit, por përmes vazhdueshmërisë së punës së përditshme të institucioneve në të gjithë territorin e Kosovës. Një qeveri që nuk arrin të kontrollojë përditë territorin e saj, dhe që toleron e flirton me strukturat kriminale në përditësi, nuk e lan dot fytyrën e saj me aksione spektakolare njëditore.
«Zajednica», apo çdo projekt për ndarjen e bosnjëzimin e Kosovës, mbeten projekte të papranueshme dhe të rrezikshme për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ata që dëshirojnë të ndërtojnë pretekste për projekte të tilla, në fund i shkaktojnë humbje të vazhdueshme popullit të vet.
Lëvizja VETËVENDOSJE!