VV bën homazhe tek varri i Ukshin Hotit

B
Prishtinë | 17 Qer 2019 | 13:14 | Nga Ekonomia Online

Java e Lëvizjes u përmbyll sot më 17 qershor, në ditëlindjen e veprimtarit të madh të çështjes kombëtare, profesor Ukshin Hotit. Për shënimin e kësaj date, një delegacion i Lëvizjes i prirë nga Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti dhe Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka së bashku me shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes, Glauk Konjufca, deputetët Arbër Rexhaj, Drita Millaku dhe Salih Zyba si dhe kryesuesen e Këshillit të Qendrës së Lëvizjes në Prizren, Arbëresha Berisha vizituan Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

Me rastin e vizitës në Universitet, delegacioni zhvilloi një takim me studentët, profesorët si dhe me rektorin Prof. Dr. Ismet Temaj. Kryetari Kurti vendosi lule të freskëta te shtatorja e profesorit Ukshin, të gjithë bashkë bënë nderime, ndërsa Glauk Konjfuca mbajti një fjalë rasti duke lexuar edhe një paragraf nga vepra e famshme e profesorit, “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”:

“Populli shqiptar duhet bashkuar. Këtë e dijnë të gjithë dhe askush më nuk e konteston. Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që herët e ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion, dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkësisë evropiane të popujve. Nuk i duhet që ta dëshmojë përkatësinë e vet në këtë bashkësi, sepse pavarësisht nga pozita e vet gjeopolitike dhe e pranisë së religjionit islamik në shumicën e pjesëtarëve të tij, ai ka qenë dhe ka mbetur popull evropian. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në Evropë nuk mund t’i refuzohet a t’i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie.

Çdo analizë, nga çfarëdo aspekti, në instancën e fundit, nuk mund të mos e reduktojë çështjen shqiptare në nevojën për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm shqiptar. Dhe çdo analizë, nga çfarëdo aspekti, në instancën e fundit, nuk mund të mos e reduktojë problemin shqiptar në nevojën për barazimin e shqiptarëve me popujt tjerë në çdo aspekt, por mbi të gjitha në aspektin e zhvillimit.”

Ky mendoj se është paragrafi më i rëndësishëm i veprës së tij – tha Konjfuca, duke shtuar se nderin më të madh që mund t’ia bëjmë profesorit Ukshin Hoti, është duke vazhduar rrugën e tij, dhe duke mos u ndalur derisa kjo që u lexua të realizohet.

Lavdi jetës dhe veprës së Ukshin Hotit!

B
B
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme