Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, i mbështetur nga Komiteti për Arsim dhe kërkim shkencor, ka organizuar një debat në Kuvendin e Kosovës lidhur me gjendjen e Arsimit Parauniversitar në Kosovë dhe Rezultatet e testit PISA.
Në këtë debat, që ka zgjatur rreth katër orë, kanë marrë pjesë profesorë, studiues të fushës, mësimdhënës, veteranë të arsimit, drejtorë të drejtorive arsimore nëpër Komuna, studentë dhe nxënës, si dhe përfaqësues të MASHT-it, Akademisë së Shkencave, deputetë dhe përfaqësues të sindikatave të arsimit.
Deputetit Ismajl Kurteshi tha se ky është vetëm një nga debatet e vazhdueshme që do të organizohen në vijim si grup masash shumë me të gjera për të adresuar gjendjen tepër të rënduar në fushën e arsimit parauniversitar.
Njohësit e arsimit kanë dhënë kritika të shumta për mënyrën se si po zhvillohen politikat arsimore deri më tani dhe kryesisht ata po apelojnë që të depolitizohet ky sektor.
Jusuf Thaçi, njohës i rrethanave në arsim, tha se PISA konfirmoi se gjendja e arsimit në Kosovë është jashtëzakonisht në nivele të ulëta krahasuar me vendet e zhvilluara, por edhe vendet me zhvillim që janë të krahasueshme pak a shumë me ne.
“Është me rëndësi me u konstatua fajtorët për këtë gjendje të arsimit që nuk diskutohet. Ne nuk guxojmë të kufizohemi as në një periudha kohore e as në një institucion, por kjo gjendje në arsim është për shkak të pa përgjegjësisë t’u filluar prej të gjitha qeverive të pas luftës”, tha ai.
Ai më tej tha se edhe sindikatat nuk e kanë bërë punën e duhur nuk e kanë adresuar asnjëherë aspektet e cilësisë pastaj edhe te donatorët që kanë investuar në mënyra AD-HOC edhe të pa planifikuara duke mos marr parasysh nevojat reale, por duke i imponuar politika prej nga vijnë.
Ndërsa eksperti i arsimit, Dukagjin Popoci, tha se efektet e cilësisë së arsimit janë të dukshme dhe se sipas tij Kosova nuk është rastësisht vendi më i varfër në Evropë.
“Nuk ka në botë ndonjë shtet që ka cilësi të mirë të arsimit dhe është i varfër”.
Grupi parlamentar i Lëvizjes VV thotë se e thirri këtë tryezë, të shqetësuar për problemet e mëdha me të cilat po ballafaqohet arsimi dhe për cilësinë e ulët në fushën e arsimit në Kosovë. Ndërkohë, në fillim të muajit dhjetor, VV e ka ftuar në interpelancë ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami.
Interpelanca do të mbahet të enjten, më 19 janar, me ç’rast do të diskutohet për gjendjen në arsim dhe do të propozohen zgjidhje të cilat do të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë dhe zgjidhjen e problemeve të tjera të kësaj fushe.
Të gjitha konkluzionet e dala nga diskutantët e shumtë do të paraqiten në interpelancën e thërritur nesër nga VV për përgjegjësinë e ministrit të Arsimit, në raport me rezultatet tepër të ultë të nxënësve tanë dhe gjendjen e rëndë të arsimit parauniversitar.