VV dorëzon kallëzim penal për vendimin e rritjes së pagave nga Qeveria

Prishtinë | 29 Qer 2018 | 11:40 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas ankesës në Gjykatën Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka vendosur që t’i drejtohet edhe Prokurorisë. Deputetja Albulena Haxhiu, ka dorëzuar në Prokurori kallëzim penal ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj dhe 17 zyrtarëve të lartë, zëvendëskryeministra e ministra për vendimin e rritjes së pagave.

Haxhiu pas dorëzimit të kallëzimit penal tha se LVV që nga dhjetori i vitit të kaluar ka kundërshtuar këtë vendim skandaloz e të kundërligjshëm, raporton Ekonomia Online.

“Askush nuk ka te drejtë të marr vendim nga i cili përfiton financiarisht qoftë ai apo familjarët e tij. Ne pas këtij vendimi dhe pas shfuqizimi të këtij vendimi konflikt i interesit tani sapo dorëzuam kallëzimin penal kundër kryeministrit dhe ministrave të tjerë”.

“Për Vetëvendosje ky vendim është i papranueshme për faktin se Qeveria që sa kohë është në krye të vendit nuk ka marrë diçka për zhvillimin ekonomik, ajo po merr vendim për të cilat po përfiton vet. Ky vendim ka shkelë një sëre ligjesh”.

“Janë afër 8 milionë sipas analizave të ekspertëve dhe kjo është e rëndë për buxhetin e Kosovës për arsye se kemi shumë shtresa qe jetojmë në varfëri dhe në mjerim. Ky është korrupsion i pastër”.

Ajo ka paralajmëruar edhe kallëzim penal ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se edhe ata janë të korruptuar, raporton EO.

“Prokuroria duhet ta dëshmojë veten tek zyrtarët e lartë. Vendim e ka marrë Qeveria pastaj e ka nënshkruar kryeministri i vendit, nuk kanë të e lehte të identifikohen personat që kanë marrë vendime pasi nuk mbahen procesverbal. Edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë korruptuar”.

“Ne nuk jemi kundër rritjes se pagave për sistemin e drejtësisë për prokuror dhe gjyqtar e kjo duhet të bëhet me ligjin për pagat. Jemi duke e shqyrtuar bazën ligjore për ta bërë kallëzimin penal ndaj gjyqtarëve të Kushtetueses”.

Qeveria më 20 dhjetor të vitit 2017 kishte marrë vendim për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeveritar.  Haradinajt nga 1443 euro paga iu dyfishua në 2950 euro, raporton EO.

Agjencia Kundër Korrupsionit ka konstatuar se ngritja e pagës së kryeministrit Ramush Haradinaj dhe vartësve të tij është në konflikt të interesit edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Të ngjashme