Mitrovica e ka të domosdoshme qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s me në krye Fehmi Feratin
Vetëvendosje ka vazhduar aktivitetin zgjedhor në qytetin e Mitrovicës. Në mbështetje të kandidatit për kryetar të kësaj komune, Fehmi Ferati, në tubimin e sotëm elektoral atje ishte i pranishëm edhe kryetari Visar Ymeri dhe deputetët Albin Kurti, Adem Mikullovci dhe Aida Dërguti.
Ishte deputeti Adem Mikullovci me fjalën e tij, ai i cili e hapi këtë tubim, duke iu thënë mitrovicasve se nuk ka dalë para tyre për të thurur lëvdata për Vetëvendosjen, por për t’i ftuar për ndryshim. Ai ka kujtuar veprimtarë të shumtë të këtij qyteti dhe ka kritikuar ashpër pushtetarët e deritanishëm.
Pas Mikullovcit, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, falënderoi qytetarët e Mitrovicës për përkrahjen e madhe që i dhanë VV-së me 11 qershor. Ajo ka kujtuar rezistencën e minatorëve në lëvizjen antikoloniale ndaj Serbisë, dhe ka thënë se prapë Mitrovica është rezistente, por kësaj radhe kundër keqqeverisjes dhe hajnisë.
“Viti 2017 do të mbetet në histori si viti i intervenimit të qytetarëve kundër hajnisë, korrupsionit, krimit të organizuar e keqqeverisjes. Viti 2017 do të jetë vit i kthimit të dinjitetit, përparimit dhe zhvillimit, vit i shpresës dhe mundësisë për jetë më të mirë”, ka thënë Dërguti, e cila më pas foli për kandidatin për kryetar, Fehmi Ferati, duke treguar kontributin e tij ndër vite në fusha të ndryshme, e për të cilit ftojë mitrovicasit ta votojnë masivisht.
Në fjalën e tij, kryetari Visar Ymeri tha se Mitrovica është qytet i punës, zhvillimit dhe mirëqenies, e jo i parazitëve, duke iu referuar PDK-së. Për këta të fundit tha se i kanë shumë borxh Mitrovicës dhe gjithë Kosovës.
“Mos t’mendoj kush se puna do të kryhet me zgjedhjet. Ata do të japin llogari për gjithçka që kanë bërë deri tash. Jo para nesh sepse ne nuk duam hakmarrje, por para gjyqësisë së pavarur sepse ne duam drejtësi”, tha Ymeri, fjala e të cilit përcillej nga brohoritjet e pjesëmarrësve të këtij tubimi – “Hajnat n’burg”.
Kurse, deputeti Albin Kurti tha se me 22 tetor qytetarët tek kutitë e votimet do t’i kenë përpara premtimet e tyre të vjetra pa program dhe zotimet tona të reja me program. Për këtë ditë, Kurti ftoi qytetarët që të bëhen bashkë për ta mundësuar ndryshimin.
“Lëvizja VV e do transparencën për Komunën, trafikun urban për qytetin, transportin për fshatrat, ujin e kanalizimin për çdo lagje, kontrollet shëndetësore e shujtat për nxënësit, çerdhet publike për fëmijët, shërbimet cilësore të vazhdueshme, ndalimin e korrupsionit kudo e përgjithmonë. I kemi bërë në Prishtinë, do t’i bëjmë edhe në Mitrovicë”, theksoi veç tjerash Kurti gjatë këtij tubimi.
Tutje, kandidati për kryetar, Fehmi Ferati, fillimisht prezantoi listën me kandidatët për Kuvendin Komunal të Mitrovicës. Më tej ai tha se edhe në këto zgjedhje në njërën anë kemi disa parti pa parime, kurse në anën tjetër VETËVENDOSJE!-n bashkë me popullin.
Ai kritikoi gjitha partitë politike, duke numëruar po ashtu dëmet e shkaktuara nga qeverisja e tyre e duke ftuar qytetarët që t’i ndëshkojnë.Në fund ai paraqiti zotimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke potencuar se zgjidhja e problemeve të qytetarëve të Mitrovicës është brenda tyre.