Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi, ka thënë se kjo parti në tryezën politike, që pritet të mbahet të premten, do të ftojë “subjektet politike në Republikën e Kosovës që e njohin pavarësinë e shtetit të Kosovës”.
Në një përgjigje për KTV-në ai ka thënë se ftesat tashmë u janë dërguar të gjitha Grupeve Parlamentare në Kuvend që e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Ftesat për tryezën e titulluar ‘Zgjidhja përmes zgjedhjeve’, që mbahet ditën e premte në Kuvend, janë duke u dërguar nga Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë i Lëvizjes Vetëvendosje, te subjektet politike në Republikë të Kosovës që e njohin pavarësinë e shtetit të Kosovës. Pra, ftesat po i dërgohen subjekteve politike të opozitës dhe pozitës, brenda dhe jashtë parlamentit, përfshirë këtu përfaqësues të ndryshëm politikë të pakicave kombëtare. Me këtë rast, ftesa tashmë i është dërguar të gjitha Grupeve Parlamentare në Kuvend që e njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.
Tryeza politike e ftuar nga VV-ja është e treta me radhë pas tryezës së ftuar nga LDK-ja dhe më pas nga PDK-ja.