Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një komunikate për media ka thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ashtu siç kishte bërë në 2013 me Marrëveshjen Thaçi-Daçiq ku 6 pikat e para parashihnin Zajednicën, marrëveshjen vijuese të së cilës në 2015 e paraqiti me 23 shkelje kushtetuese, veproi edhe me rastin e dërguar lidhur me brendinë e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
I sjellim në vëmendje qytetarëve të Republikës së Kosovës se Gjykata Kushtetuese nuk e ka marrë në shqyrtim marrëveshjen dhe nuk ka konkluduar për të.
Pra: “TA REFUZOJE njëzëri kërkesën e parashtruesve për të shqyrtuar Marrëveshjen Ndërkombëtare për Demarkacionin e Kufirit Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi pasi që kërkesa nuk është ratione materiae ne pajtim me Kushtetuten dhe kështu jashtë fushëveprimit të juridiksionit të Gjykatës”.
Edhe pse paraprakisht kontastonte se: “14. Me 18 prill 2018, pas shqyrtimit te raportit te gjyqtarit raportues, Kolegji shqyrtues njezeri i rekomandoi Gjykates ta deklaroje kerkesen te pranueshme dhe te vleresoje meritat e kerkeses.”
Pra gjykata në njërën anë e shpall kërkesën e tonë si të pranueshme, pra e njeh juridiksionin e vet mbi rastin, për të konstatuar më pas se i mungon juridiksioni ratione materiae.
Po mos të kishte Gjykata juridiksion ratione materiae atëherë do të duhej ta shpallte kërkesën e tonë si të papranueshme. Kjo përshkruhet shumë qartë në Rregulloren e Gjykatës Kushtetuese, neni 36, Kriteret e Pranueshmërisë.
Në Kërkesën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nuk u kërkua shqyrtimi i Ligjit për ratifikimin, edhe pse Gjykata ka kthyer përgjigje për këtë, por e dhëna faktike nga Komisioni shtetëror se Kosovës i cënohet territor nga marrëveshja me Malin e Zi.
Si mbrohet ndryshe Kushtetuta nëse nuk merren parasysh të dhëna të tilla. Republika e Kosovës dhe territorisot fatkeqësisht rrezikohen edhe nga deputetët e Kuvendit dhe Gjykata Kushtetutese.
Versioni se Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk ka juridiksion mbi Legjislacionin e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk mjafton dhe nuk ndalon për të shqyrtuar brendinë e tyre nëse ajo bie direkt ndesh me cilindo parim të kushtetutës së Kosovës.
Bëjmë të qartë pra për opinionin publik se gjyqtarët aktual të Gjykatës Kushtetuese nuk e kanë shpallur në përputhje me kushtetutën Marrëveshjen me Malin e Zi për çështjen e Demarkacionit, por nuk kanë guxuar ta interpretojnë dhe gjykojnë përmbajtjen e saj, duke shmangur kështu detyrimin kushtetues që ka përballë mbrojtjes së tërrësisë territoriale të Republikës.
Njëjtë si me Zajednicën dikur, Gjykata Kushtetuese po e përcjell problemin tek qytetarët duke mos e korrigjuar atë. Ditën kur do të fillojë puna për ta zbatuar atë marrëveshje, do të konkretizohet, materializohet antikushtetueshmëria e saj. Këta gjyqtarë njëjtë si në 2013 iu bashkuan deputetëve të PDK-së, me Nismën brenda, LDK-së dhe AAK-së për ta cenuar kushtetueshmërinë e vendit tonë për pak siguri pushtetore. Nuk ju eci atëherë, nuk do ju eci as tash, thuhet në komunikatën e VV-së.